Rama dhe Meta ndajnë rolet – i pari Kryeministër, i dyti kryetar i Kuvendit

Në një takim të zhvilluar pa praninë e kamerave, Rama dhe Meta kanë rënë dakort për ndarjen e posteve të qeverisë së re që pritet të krijohet gjatë muajit shtator
Ilir Meta do të jetë kryetar i ardhshëm i Kuvendit. Lajmi është konfirmuar nga Partia Socialiste përmes një njoftimi zyrtar. Vendimi është marrë nga kreu I PS-së, Edi Rama dhe ai I LSI-së, Ilir Meta, gjatë një takimi që zgjati për rreth 2 orë e 30 minuta, që u zhvillua në ambientet e Hotel Sheraton në Tiranë. Sipas njoftimit, qëllim i takimit ishte caktimi i piketave të planit të tranzicionit deri në hapjen e legjislaturës së re. E njëjta marrëveshje parashikon zyrtarisht që Rama do të jetë Kryeministër, shton i njëjti burim. Në takim, u konfirmua angazhimi publik i PS-LSI për të ndarë mandatin e deputetit nga detyra ekzekutive e ministrit. Dy liderët e së majtës kanë rënë dakord edhe për krijimin e një grupi të përbashkët pune nën drejtimin e Sekretarit të Programit të PS, Ilir Beqja, dhe anëtarin e kryesisë së LSI Edmond Haxhinasto, që të nisë menjëherë nga puna për planin e detajuar të punës së 300 ditëve të para që do t’i paraqitet publikut në muajin shtator. Ky grup pune do të vendosë kontakte me grupet e interesit si edhe me ekspertë vendas e të huaj të nivelit më të lartë.