E Shtunë, 31 Tetor 2026

Administrata, gati konkursi për 70 pozicione



Departamenti i Administratës Publike shpall konkursin për 70 pozicione të lira në tetë Ministri dhe në Kryeministri. Në faqen zyrtare të këtij institucioni janë publikuar të gjitha datat brenda të cilave duhet të aplikohet për secilin prej pozicioneve, por edhe kriteret që duhen plotësuar e dokumentet që do të paraqesin aplikantët. Institucioni i cili do të ketë më shumë konkurse gjatë muajit qershor dhe korrik do të jetë Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Kështu, në këtë ministri do të zhvillohet konkurs për 25 pozicione, të cilat variojnë nga specialist në sektorin e Integrimit në Drejtorinë e Integrimit në BE dhe Integrimit të Ndihmës së Huaj deri në Drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve Mbështetëse. Një numër të madh konkursesh, 19 të tillë do të zhvillojë Ministria e Arsimit. Në këtë ministri, më shumë konkurse do të zhvillohen për pozicionin e specialistit në disa fusha, si në Drejtorinë e Koordinimit Rajonal dhe Decentralizimit, në sektorin e Kërkimit Shkencor apo edhe në sektorin e Politikave dhe Legjislacionit. Departamenti i Administratës Publike ka shpallur gjithashtu vendeve bosh edhe për 5 pozicione në Kryeministri. Konkretisht, konkurs do të zhvillohet për dy pozicione si koordinator në zyrën e Komunikimit dhe Informimit, një pozicion si specialist-redaktor në Drejtorinë e Dokumentacionit, një pozicion si specialist në Njësinë e Teknologjisë së Informacionit dhe E-government si dhe një pozicion specialist në zyrën e Informimit dhe Komunikimit. Ndërkohë ministritë ku do të zhvillohen më pak konkurse janë ajo e Financave, ku janë tri vende vakant, si dhe Ministria e Transporteve e ajo e Bujqësisë, me nga 1 vend vakant.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›