E Shtunë, 31 Tetor 2026

Runi beson te titulli: “Kemi lojtarë klasi”



Ylli i Anglisë, sulmuesi Uejni Runi, beson në fitimin e titullit në Kampionatin Botëror të Afrikës së Jugut. “Ne kemi cilësi si ekip dhe lojtarë klasi”, - tha sulmuesi i Mançester Junaitid për revistën gjermane “Kicker”. “Trajneri ynë (Kapelo) është i shkëlqyer dhe të gjitha premisat flasin në favorin tonë”.
Runi, 60 ndeshje më Kombëtaren angleze, 25 gola, beson në pjesëmarrjen e tij në finalen e 11 korrikut në Johanesburg, duke e parë veten me trofeun në dorë. “Ne kemi folur shpesh për këtë dhe kemi diskutuar, se sa mirë do të ishte të mbanim kupën lart. Nëse ne do të fitojmë, do të udhëtonim me Kupën në Angli. Kjo do të ishte një ndjenjë e mrekullueshme, jo vetëm për ne lojtarët, por dhe për tifozët”, - tha 24-vjeçari. Runi mendon se përveç Anglisë, konkurrentë të tjerë të fortë janë Spanja, Brazili, Italia, Argjentina dhe Gjermania.

SPANJA
Xherard Pike këmbënguli se shoku i tij te ekipi i Spanjës, Cesc Fabregas, është i qetë dhe i fokusuar vetëm në Kupën e Botës me gjithë spekulimet në lidhje me të ardhmen e tij. Barcelona ofroi 35 milionë euro për kapitenin e Arsenal, i cili nga ana e tij gjithashtu bëri të ditur dëshirën e tij për t’u rikthyer te klubi ku mësoi të luante futboll përpara se të lëvizte drejt Londrës shtatë vjet më parë. “The Gunners” (Topçinjtë) e hodhën poshtë ofertën e kampiones së Spanjës, duke deklaruar se ata nuk kanë ndërmend ta shesin mesfushorin 23-vjeçar, më të cilin kanë një kontratë deri në vitin 2015. "Cesc është shumë i fokusuar në Kupën e Botës dhe ekipin Kombëtar. Ai e di se e ardhmja e tij është për t’u vendosur, por ai është i qetë, pasi janë të tjerët ata që e kanë në dorë për të zgjidhur transferimin e tij te Barça”, - tha Pique, i cili dëshiron të shohë Fabregasin të luajë me të në “Camp Nou” sezonin e ardhshëm. “Ai është një mik dhe një futbollist i madh”, - shtoi Pique. Një kuriozitet: Xherard Pike ka luajtur në Shqipëri kundër Kombëtares sonë U-21, në kohën kur ai ishte pjesë e Spanjës U-21 nën urdhrat e trajnerit Injaki Saez, një takim i luajtur në “Selman Stërmasi”, më 1 shtator 2006, dhe të fituar nga spanjollët 3-0.

PORTUGALIA
Nëse largimi i mundshëm i Didier Drogba (frakturë në bërrylin e djathtë) nga Kupa e Botës ka hidhëruar jo pak përfaqësuesen nga Bregu i Fildishtë, Karlos Keiroz, trajneri i Portugalisë, tha se prania apo jo e kapitenit të “Elefantëve” nuk do të ndryshojë asgjë në taktikën e luzitanëve. “Ne nuk do të ndryshojmë asgjë në plane tona”, - tha portugezi, në lidhje me ndeshje kundër Bregut të Fildishtë (15 qershor) në grupin G. “Ne do të përqendrohemi në lojën tonë. Lojtarët e mi e njohin stilin tonë, kjo është arma jonë më e mirë. Ne duhet të luajmë si ekip portugez. Në këtë vështrim, nuk më intereson aspak nëse Drogba luan apo jo”.

Policia ndalon
huliganët argjentinas

Policia afrikanojugore ka ndaluar në aeroportin e Johanesburgut dhjetë tifozë huliganë. Sipas medias argjentinase, ultrasit i përkisnin një grupi prej 80 vetësh, të cilët kishin udhëtuar nga Amerika e Jugut drejt Angolës për të hyrë më pas në Afrikën e Jugut. Më parë një aksion i ngjashëm ishte ndërmarrë kundër huliganëve anglezë, të cilët ishin ndaluar në Dubai, gjatë transitit për në Afrikën e Jugut.

Botërori i futbollit dhe i modës

Botërori i Afrikës së Jugut nuk do të jetë vetëm një arenë futbolli super yjet e botës do të përpiqen të tregojnë klasin e tyre, por dhe një shfaqje e madhe e modës dhe tendencave më të fundit. Thuajse të gjithë lojtarët më të paguar në planet kanë ofruar diçka të veçantë, një lloj spektakli unik në veshje, look.
Ylli i Realit të Madridit dhe Portugalisë, Kristiano Ronaldo, u paraqit në tokën afrikanojugore me një xhup dhe çantë shpine, sigurisht me një vlerë të shtrenjtë. Lojtari më i mediatizuar në botë, anglezi Devid Bekam me kostum dhe një mjekër të parruar prej tri ditësh. Bastian Shvajnshtager i Gjermanisë me syze dielli me skelet të trashë.

8 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›