“Strategjia, si do tërheqim mijëra turistë në Korçë”
KORçE/ GEZIM ASHIMI
Nuk ka det, por Korça po tërheq gjithmonë e më tepër turistë nga vendi e bota. Sezoni turistik në qytetin më të madh në juglindje nisi me festën e Karnavaleve, për të shënuar pikun e tij me Festën e Birrës.Siç pohon në një intervistë kryebashkiaku Niko Peleshi, për këtë festë, ku mbretëresha është “Birra Korça”, kanë nisur prenotimet nga turistët.
Sezoni turistik në qytetin e Korçës u çel me Festivalin Ndërkombëtar të Karnavaleve, i cili i paraprin një sërë aktivitetesh të tjera sa tradicionale aq edhe masive për argëtimin e pushuesve. Si e keni vlerësuar ju si bashki këtë sezon të ri turistik?
Festivali Ndërkombëtar i Karnavaleve, ashtu siç ka ndodhur këto vitet e fundit çel sezonin turistik të verës në qytetin e Korçës. Ky festival, në vetvete është një aktivitet që ka edhe masivitet, por edhe elementë të traditës dhe të vlerave qytetare në Korçë. Kemi zgjedhur jo pa qëllim Karnavalet si një nga festat masive që mirëpret shumë vizitorë edhe nga qytete të tjera të Shqipërisë dhe vende të huaja për ta filluar vrullshëm sezonin turistik të verës. Korça është një qytet që nuk ka det dhe si i tillë nuk mund të pretendojë për një turizëm kaq masiv të plazhit. Por, nga ana tjetër, ne jemi kujdesur që të krijojmë një profil krejt të veçantë, duke u bazuar në avantazhet që qyteti ynë ka në raport me qytetet e tjera për shkak të traditës, për shkak të kulturës, bukurive natyrore, rrethinave të tij që mbartin histori, etj. Pra, jemi munduar që të zhvillojmë turizmin me forma alternative siç janë eventet, festat, promovimi i veçantive të qytetit të Korçës, i produkteve të tij që ne i kemi organizuar në formën e një pakete festive. Këto përbëjnë edhe atë që mund ta quaj busullën e sezonit turistik veror, por edhe atij dimëror.
Cilat janë disa prej tyre që Bashkia e Korçës u afron pushuesve të ndryshëm?
Në aktivitetet apo projektet tona për një sezon turistik sa më të suksesshëm, jo vetëm për qytetin tonë, por edhe në Shqipëri tashmë është Festa e Birrës. Festa e “Birra Korçës” përbën edhe kulminacionin e sezonit turistik për shkak të masivitetit dhe origjinalitetit me të cilin zhvillohet. Por edhe për shkak të numrit shumë të madh të vizitorëve që tërheq tashmë jo vetëm nga qytetet e ndryshme të Shqipërisë, por edhe nga vende të tjera. Kujtoj se vitin e kaluar një agjenci turistike italiane ka sjellë në Korçë 50 turistë italianë vetëm për Festën e Birës. Për këtë vit kemi prenotime edhe nga vende të tjera dhe këtë e konstatojmë përmes faqes së internetit, që është hapur posaçërisht për Festën e Birrës. Jemi të pakonkurrueshëm në këtë festë të “Birra Korça” edhe për një arsye tjetër. Sepse një festë birre nuk mund të organizohet në asnjë qytet tjetër më mirë sesa në Korçë. Ky është qyteti i birrës së parë të prodhuar që në vitin 1928. Tashmë, falë një investimi që ka brenda jo vetëm një plan biznesi, por edhe shumë pasion të investitorëve të saj, “Birra Korça”, si një nga më të preferuarat në treg nuk ka sesi të mos tërheqë shumë e shumë pushues në festën e saj. Ky për ne është një avantazh dhe me këtë produkt ne organizuam Festën e Birrës, e cila nuk zhvillohet thjesht për të degustuar birrë, por është e mbushur me një program të larmishëm argëtues nga dhjetëra grupe muzikore, lojëra të ndryshme, etj. Pra, ne kemi krijuar të gjitha mundësitë që kushdo pushues të kalojë disa net shumë të këndshme duke shijuar “Birrën Korça”, produkte të tjera, por edhe për t’u argëtuar në këtë festë.
Korça, qyteti i festave po kthehet në traditë. Mendoni se keni krijuar tashmë përvojën e duhur që ta përmirësoni më shumë sezonin turistik dhe festat e tij?
Mund të them se filozofia jonë për zhvillimin ekonomik të qytetit ka qenë një iniciativë që ka pasur jo pak reagime, sepse nuk është kuptuar si duhet. Në opinionin qytetar apo edhe në Këshillin Bashkiak ka ekzistuar ideja se ne nuk na duhen shumë festa të tilla, aktivitete promovuese të kulturës apo ato artistike, që do ta kthenin Korçën ashtu siç e kthyen, në një lloj magneti dhe qytet atraktiv për vizitorë të shumtë, të cilët siç e dimë sjellin me vete një të ardhur shumë të mirë për bizneset e qytetit. Një studim i OBT-së para pak muajsh konstaton ardhjen e rreth 8 mijë turistëve në vit që akomodohen në hotelet e Korçës vetëm në sezonin e verës. Ky nuk është një numër i vogël, e po kështu edhe të ardhurat që vijnë për qytetin. Në raport me fondin që shpenzon bashkia, i cili është 0.75% i të ardhurave të buxhetit të saj, sepse pjesa tjetër përballohet me kontributin e partnerëve të tjerë, mund të kuptohet se ky është një investim i dobishëm dhe për infrastrukturën e qytetit. Jemi treguar të vëmendshëm edhe gjatë këtij viti që investimet publike në qytet të shkojnë në dobi të zhvillimit turistik të tij. Dua të përmend këtu Bulevardin “Republika”, një qendër historike, i cili është rikonstruktuar falë një projekti me vlerë afro 1 milion dollarë nga buxheti i bashkisë.