“Dash Peza fshehu Ramën në shtëpi”
Deputeti i PD-së, Luan Skuqi, tha dje në një konferencë për shtyp se maxhoranca nuk do të tërhiqet nga qëndrimi i saj për të zbatuar vendimin e Qeverisë për kthimin e shtëpisë së Konferencës së Pezës në muze. “Ka qenë premtimi im elektoral që këtë shtëpi ta shndërroja në shtëpi-muze, duke ua kthyer atë banorëve të Pezës dhe mbarë Shqipërisë. Ajo që ndodhi para disa ditësh, ku Dash Peza pengoi zbatimin e vendimit të Qeverisë për marrjen në mbrojtje të kësaj shtëpie, përbën një akt të rëndë dhe ofendim për vetë ngjarjen historike”, tha Skuqi. Sipas tij, “shqetësim ishte reagimi i nxituar i Dash Pezës ndaj pyetjes së gazetarit, nëse ishte brenda në shtëpi zoti Rama apo jo. Zoti Peza u përgjigj në mënyrë të papërgjegjshme dhe antishqiptare se nuk pyetet tjetri se kë ka në shtëpi. Një përgjigje e tillë shkon ndesh me traditat e shqiptarit, i cili nuk e fsheh mikun, sepse miku është drita e shtëpisë dhe me të cilin ai nderohet”.