Administrata, kriteret e reja për të mbajtur vendin e punës
ADI SHKEMBI
Qeveria përcakton kritere të reja, për sa i përket arsimimit për punonjësit e shërbimit civil në administratën shtetërore. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, u miratuan me propozim të Ministrit të Brendshëm disa ndryshime në udhëzimin "për strukturën e renditjes së punëve në shërbimin civil, metodologjinë përkatëse dhe përshkrimin përgjithësues të rolit të sekretarit të përgjithshëm në këtë shërbim".
Udhëzimi
Në varësi të nivelit të pozicionit në administratë, do të kërkohet një nivel arsimimi më i lartë. Konkretisht për të gjithë sekretarët e përgjithshëm (në Kryeministri, Presidencë, Kuvend, Ministri) dhe për drejtorët e përgjithshëm, qëndrimi në pozicionin aktual do të bëhet pasi ai të paraqesë një diplomë të nivelit të dytë ose diplomë të integruar të nivelit të dytë. "Nëpunësit e emëruar në pozicionet, që i përkasin shkallëve 19, 21 e 22, duhet të kenë të paktën një "Diplomë të nivelit të dytë" (DND), ose "Diplomë të integruar të nivelit të dytë" (DIND), ose diploma të barazvlefshme me to, sipas legjislacionit të arsimit të lartë", thuhet në vendimin e miratuar dje. E njëjta kërkesë është edhe për pozicionet 16 dhe 18 në administratën civile, që i takojnë nivelit 'drejtor' ose "nëpunës civilë të nivelit të mesëm drejtues", sipas përcaktimit në udhëzimin e vitit 2000. Ndryshimet e miratuara në mbledhjen e djeshme të Qeverisë përcaktojnë të njëjtin kriter edhe për pozicionin 'përgjegjës sektori/zyre', që është në klasën e III të administratës, i quajtur ndryshe, 'nëpunës civilë të nivelit të ulët drejtues'. Ndërsa për specialistët e nivelit të lartë, shkalla 12, kërkohet që të jenë të pajisur me diplomë të nivelit të parë dhe një master të nivelit të parë. Ndryshimet në udhëzimin e propozuar nga Ministria e Brendshme prekin edhe nivelin 'specialist në administratë'. Klasa IV e piramidës është e përbërë nga shkalla 10 që është 'specialist i nivelit të mesëm' dhe shkalla 8 'specialist'. "Nëpunësit e emëruar në pozicionet, që i përkasin shkallëve 8 e 10, duhet të kenë të paktën një "Diplomë të nivelit të parë" (DNP), ose diplomë të barazvlefshme me të, sipas legjislacionit të arsimit të lartë", thuhet në ndryshimet e miratuara në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave.
Katër kategoritë e administratës
KLASA I
Shkalla 22- Sekretar i Përgjithshëm në Kryeministri, Presidencë, Kuvend
Shkalla 21- Sekretar i Përgjithshëm në ministritë e linjës,
Shkalla 19- Drejtor i Përgjithshëm
Drejtor Departamenti në Kryeministri, Presidencë, Kuvend, Drejtor i Departamentit të Administratës Publike
"Nëpunësit e emëruar në pozicionet, që i përkasin shkallëve 19, 21 e 22, duhet të kenë të paktën një "Diplomë të nivelit të dytë" (DND), ose "Diplomë të integruar të nivelit të dytë" (DIND), ose diploma të barazvlefshme me to, sipas legjislacionit të arsimit të lartë.".
KLASA II
Shkalla 18- Drejtor
Shkalla 16- Drejtor
Nëpunësit e emëruar në pozicionet, që i përkasin shkallëve 16 e 18, duhet të kenë të paktën një "Diplomë të nivelit të dytë" (DND), ose "Diplomë të integruar të nivelit të dytë" (DIND), ose diploma të barazvlefshme me to, sipas legjislacionit të arsimit të lartë
KLASA III
Shkalla 14- Përgjegjës sektori/zyrë
Shkalla 13- Përgjegjës sektori/zyrë
Shkalla 12- Specialist i nivelit të lartë
Nëpunësit e emëruar në pozicionet, që i përkasin shkallëve 13 e 14, duhet të kenë të paktën një "Diplomë të nivelit të dytë" (DND), ose "Diplomë të integruar të nivelit të dytë" (DIND), ose diploma të barazvlefshme me to, sipas legjislacionit të arsimit të lartë, ndërsa nëpunësit e emëruar në pozicionet, që i përkasin shkallës 12, duhet të kenë të paktën një "Diplomë të nivelit të parë" (DNP), ose diploma të barazvleshme me këtë diplomë, sipas legjislacionit të arsimit të lartë, së bashku me një diplomë "Master të nivelit të parë" (MNP).
KLASA IV
Shkalla 10- Specialist i nivelit të mesëm
Shkalla 8- Specialist
Nëpunësit e emëruar në pozicionet, që i përkasin shkallëve 8 e 10, duhet të kenë të paktën një "Diplomë të nivelit të parë" (DNP), ose diplomë të barazvlefshme me të, sipas legjislacionit të arsimit të lartë.