Prifti-Vojoviq: Projekte të përbashkëta ekonomike
Finalizimi i projekteve të përbashkëta dhe forcimi i bashkëpunimit për "sipërmarrje" më ambicioze në të ardhmen. Këto ishin objekti i diskutimit në takimin e Ministrit të Ekonomisë Dritan Prifti me homologun të tij malazez, Branko Vojoviq. Prifti gjatë fjalës së tij u ndal në një sërë bashkëpunimesh që kanë qeveritë e dy vendeve, ku një prej tyre është edhe linja e transmetimit të energjisë 400 kilovolt mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Ai garantoi se kjo linjë do të përfundojë brenda vitit. Edhe Ministri i Ekonomisë së Malit të Zi, Branko Vujoviq, u shpreh dje se Shqipëria do të përfitojë nga marrëveshja me Qeverinë italiane për vendosjen e kabullit nënujor për përcjelljen e energjisë elektrike. "Jemi në përfundim të linjës së transmetimit Tiranë-Podgoricë dhe këtë e bën më të rëndësishme edhe marrëveshja e nënshkruar nga qeveritë e Malit të Zi dhe Italisë, për kabullin nënujor, ku do të mund të përcillet teprica e energjisë elektrike për 35 vitet e ardhshme", theksoi Vojoviq. Gjatë takimit, ministrat diskutuan gjerësisht mbi hartimin e projekteve të përbashkëta ekonomike mes dy vendeve.