Administrata publike, "solidare" me Dulen
Mesazhe dhe qëndrime solidarizuese janë formuluar dje nga drejtues dhe punonjës të administratës publike në Sarandë, që aderojnë në PBDNJ. Në takimin e mbajtur në mjediset e bar "J&B" në qytetin e Sarandës, është mësuar se ata shprehën mbështetje ndaj pozicionimit majtas të Vangjel Dules, duke thënë se marrin përsipër edhe gjithë pasojat e presionit të së djathtës mbi ta. Pas bërjes publike të dorëheqjes së Kserës nga lista e kandidaturave dhe e Ziso Llucit nga kryesia dhe forumet e PBDNJ-së, si reagim kundërshtues ndaj "rrëshqitjes" majtas të Vangjel Dules, dje lëvizja politike e tij ka marrë mesazh dhe qëndrim mbështetës në Sarandë. Kjo është formuluar dhe shprehur paraditen e së hënës gjatë një takimi të organizuar nga dega e PBDNJ-së e Sarandës. Edhe pse ky takim është zhvilluar jo në prani të mediave, drejtues të degës lokale të PBDNJ-së kanë deklaruar se pjesëmarrës në takim kanë qenë punonjës të administratës publike në Sarandë. Mes tyre kanë qenë edhe Llambi Panteqi, aktualisht nënkryetar i Qarkut të Vlorës dhe kandidat favorit për deputet në listat e PBDNJ-së, si dhe Vangjel Zafirati, Jani Babi e drejtues të tjerë të institucioneve të linjës vertikale të qeverisjes. Mesazhi kryesor dhe i përbashkët i pjesëmarrësve në takimin e të hënës ka qenë shprehja e mbështetjes ndaj politikave të qendrës së PBDNJ-së, duke përfshirë edhe aderimin e saj në aleancën e majtë, "Bashkimi për ndryshim".