Trafiku i drogës nga Himara, akuza të pavërteta
Rreth një vit më parë, në numrin e 20 prillit 2008, gazeta "Shqip" botoi një artikull që tentonte të hidhte dritë mbi ngjarjet e dhunshme që ndodhën në qytetin e Himarës më 10 prill 2008. Në artikullin me titull, "Abuzimi 2 milionë euro, arsyeja pse Bollano provokoi incidentin", gazetari ynë në Qarkun e Vlorës, Mikel Marsi, citon një funksionar politik lokal, i cili ngre akuza për kryebashkiakun Vasil Bollano dhe persona të tjerë të afërt me të. Funksionari politik që foli për gazetën, sipas rregullave të etikës gazetareske, nuk mund të identifikohet për sa kohë nuk e dëshiron një gjë të tillë. Ai tha se kishte dokumente që vërtetonin abuzimet e kryebashkiakut Vasil Bollano, kryesisht me fondet që i vinin në formë donacionesh nga Greqia. Ai ngriti gjithashtu akuza për zotërinjtë Robert Bollano dhe Manol Zoto, si trafikantë droge. Në artikullin e 20 prillit 2008 shkruhet se "sipas burimit të gazetës, në Himarë janë krijuar dy grupe të fuqishme, të cilat merren me trafikun e lëndëve narkotike. Njëri nga grupet drejtohet nga Bert Bollano dhe Manol Zoto....". Sot, më shumë se një vit nga botimi i këtij artikulli, burimi i gazetës nuk ka mundur të sjellë prova e fakte që vërtetojnë këtë akuzë të rëndë, ndaj redaksia vendosi të sqarojë lexuesit se informacioni i dhënë nuk ka baza dhe t‘u kërkojë ndjesë dy zotërinjve të akuzuar pa prova.