Sëmundjet seksuale në rritje, rikthehet sifilizi dhe gonorreja
Pipero: Infeksionet seksualisht të transmetueshme po rriten frikshëm. Pas vitit 1993 kemi rreth 200 raste të reja të konfirmuara me sifiliz, 40 prej të cilave janë vetëm në 3 vitet e fundit
Sëmundjet seksualisht të transmetueshme po shtohen në mënyrë të frikshme. Sifilizi, që është një ndër sëmundjet seksualisht të transmetueshme (SST) më të rrezikshme, pas një periudhe të gjatë qetësie është rishfaqur në vitin 1995 dhe numri i rasteve të reja po rritet në mënyrë të shpejtë. Alarmi për shtimin e SST-ve jepet nga autoritetet e Shëndetësisë, të cilat bëjnë të ditur se kohët e fundit janë rikthyer jo vetëm rastet e të infektuarave me virusin e Sifilizit, por edhe të Gonorresë, Klamidës dhe Kondilomës. “Deri në vitin 1993, ne nuk kemi pasur Sifiliz në Shqipëri. Pas vitit ‘93, kemi rreth 200 raste të reja të konfirmuara në 17 vitet e fundit, prej të cilave 40 janë vetëm në 3 vitet e fundit. Infeksionet seksualisht të transmetueshme po rriten në mënyrë të frikshme. Kemi shtim të rasteve të reja me herpes virus, me kondilom, me klamidian, kemi shtim të numrit të gonorreve. Është problematike kultura e ulët seksuale e popullit tonë apo e komunitetit në tërësi”, - shprehet drejtori i Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero. Ndërkaq, specialistët e Shëndetit Publik dyshojnë se shifrat mund të jenë edhe më të larta, pasi një pjesë e mirë e popullsisë druhen ende të paraqitet tek mjeku për të tilla probleme. Sipas tyre, SST-të janë një problem që shpeshherë, për arsye të ndryshme neglizhohen, fshihen apo nuk vihen re, ndërkohë që çdo njeri që kryen marrëdhënie seksuale të pambrojtura mund të infektohet prej tyre. Ndaj, për shkak të tendencës në rritje të këtyre infeksioneve, Ministria Shëndetësisë kërkon të bëjë një strategji më vete për to si dhe disa ndryshime ligjore. “Strategjia apo dokumenti bazë i sëmundjeve riprodhuese, i cili brenda ka të inkluduar edhe kujdesin për infeksionet seksualisht të transmetueshme, pra, do të ndahet si dokument më vete, në mënyrë që të kemi strategji për sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Do të shikohet mundësia për të ndërhyrë në ligj, në mënyrë që këto sëmundje të raportohen ashtu si sëmundjet e tjera infektive në kohë. Specialistët kanë frikë se numri i rasteve mund të jetë edhe më i madh, por raportimi është ende i vogël”, - shprehet Pipero. Infeksionet seksualisht të transmetueshme kanë efekt të ndjeshëm në jetën sociale, pasi shkaktojnë probleme në çift, bëhen të pashërueshme dhe disa prej tyre janë dhe vdekjeprurëse. Ndaj, një ndër thirrjet e specialistëve është kujdesi për shëndetin duke mbrojtur partnerin. Por, ky shqetësim i specialistëve të shëndetit për SST-të vjen vetëm pak ditë pasi disa organizata të shoqërisë civile që kujdesen për të sëmurët me HIV/AIDS në vend, lëshuan sinjalin “SOS” jo vetëm për fonde në ndihmë të të sëmurëve për medikamente, por edhe për rrezikun e shtuar që do të paraqitet në vend nga sëmundjet infektive, nëse nuk merren masat e duhura. Këto organizata kërkojnë nga shteti fonde për trajtimin e të sëmurëve, pasi financuesi ‘Global Fond’, për shkak të krizës financiare në vende të ndryshme të botës, nuk do të japë më fonde për Shqipërinë.“Rreziku i ndërprerjes së shërbimeve do të na vendosë përballë rrezikut të shpërthimit të epidemisë së HIV/AIDS, hepatiteve, si dhe infeksioneve apo sëmundjeve të tjera shoqëruese, jo vetëm në grupet e rrezikuara, por edhe në popullatën e përgjithshme, veçanërisht tek të rinjtë”, - thuhet në deklaratën e organizatave që punojnë në fushën e HIV/AIDS-it.