E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fëmijët që s’dëgjojnë, diagnostikim që në lindje

Depistimi në katër maternitete të vendit: Në 34 mijë lindje, 70 bebe të shurdhët. Mjekët: Prindërit neglizhojnë ndërhyrjen e shpejtë

Mungesa e dëgjimit që në lindje është një nga problemet më të shpeshta që haset në vendin tonë. Vitet e fundit, çrregullimet e dëgjimit janë bërë edhe më të ndjeshme, pasi janë regjistruar 70 fëmijë me forma tepër të rënda të shurdhërisë. Shifra është nxjerrë nga një depistim që është kryer për herë të parë në vendin tonë nga shoqata humanitare “Magis”. Depistimi është shtrirë vetëm në 4 maternitetet kryesore të vendit: dy të Tiranës, në atë të Fierit dhe në maternitetin e Shkodrës, që kanë edhe aparatura për të bërë ndërhyrjen pas lindjes për reduktimin e këtij defekti. Nga të dhënat e marra, në 34 mijë lindje kanë rezultuar 70 bebe që kanë lindur të shurdhët. Koordinatorja e organizatës “Magis”, Daniela Nika thotë se shkaktarët kryesorë janë trashëgimia, kequshqyerja e nënës gjatë shtatzënisë apo dhe lindjet e foshnjave nën peshë, por pas nuk ngelet as neglizhenca e prindërve për të rikuperuar në kohë problemin. “Janë testuar rreth 34 mijë fëmijë në këto 3 vjet dhe prej tyre kanë rezultuar rreth 70 fëmijë me probleme të shurdhësisë bilaterale. Për rreth 70 për qind të tyre akuzohet shkaku gjenetik, por ka edhe shkaqe që kanë të bëjnë me infeksione të ndryshme që mund të kalojë nëna gjatë shtatzënisë. Ka disa medikamente që shkaktojnë dëmtim të dëgjueshmërisë. Prindërit nuk e besojnë që fëmija i sapolindur mund të ketë probleme dhe për shumë kohë nuk rikthehen pranë strukturave shëndetësore për të kryer ekzaminimet e shumta. Shpeshherë paraqiten me vonesë dhe është shumë e vështirë për t’u rikuperuar”, - pohon Nika. Në aktivitetin e shoqatës “Magis”, e cila është kujdesur duke i pajisur me aparate dëgjimi falas të gjithë fëmijët që ka diagnostikuar këtë vit, mori pjesë dhe ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i cili tha se testi konfirmues i diagnozës për këtë lloj sëmundjeje kryhet vetëm në Tiranë. Ai bëri të ditur se Ministria e Shëndetësisë ka parashikuar se vitin e ardhshëm testi do të përfshihet dhe në maternitete të tjera të vendit. Projekti për diagnostikimin e foshnjave që nuk dëgjojnë kryhet nën mbikëqyrjen e ekspertëve italianë, të cilët punojnë pranë Spitalit Pediatrik në QSUT. Ata rekomandojnë që ekzaminimet për kapjen e handikapit të kryhen 8 deri në 10 muaj pas lindjes, kohë në të cilën realizohet edhe vendosja e aparatit të dëgjimit.

Rastet e kapjes së sëmundjes

Mbi dy vjet më parë, familja Sula sjell në jetë një fëmijë me probleme të rënda të dëgjimit. Shkak kryesor i lindjes së Eraldës, me mungesë dëgjimi, sipas prindërve të saj është se ajo lindi nën peshë. Për këtë arsye, shteti u jep atyre një pagesë për paaftësi dhe me këto të ardhura ata jetojnë prej 2 vjetësh. Për fat të mirë, diagnostifikimi i këtij handikapi u kap disa ditë pas lindjes dhe vajzës 2-vjeçare aktualisht i është vënë një aparat dëgjimi. Shpresat se dëgjimi do t’i kthehet plotësisht janë të mëdha, pasi për fat të mirë mjekët e kapën në kohë. “Tani që ka aparaturën është më ndryshe, falë këtyre që na ndihmuan dhe fëmija ka ecur para. E shtyjmë me kempin që na japin për fëmijën”, - shprehet nëna e vajzës, Alda Sula. Ndërsa i ati, Bastri Sula tregon se “vajzën e dëgjuam që në fillimin e lindjes, sepse lindi shumë e vogël, 1 kilogram”. Ndërkohë që ka raste edhe më fatale, ku në një familje të tre fëmijët të vuajnë mungesën e dëgjimit. Adelina Llushi, nëna e 3 fëmijëve që nuk dëgjojnë, është njëra prej tyre. Nëna tregon se t’i edukosh, arsimosh është e mundimshme, por është përpjekur t’iu japë përkushtimin maksimal. Nga ndërhyrjet e bëra në spital, vetëm njëra prej vajzave është përmirësuar, ndërsa dy të tjerat mësojnë vetëm në aparatura audio. Këtë defekt te fëmijët e saj, Adelina e ka mësuar vetëm pasi i ka sjellë në jetë, sepse më herët asnjë aparaturë në Shqipëri nuk arrinte ta dallonte këtë problem që në embrion.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›