Pagesat për rivlerësimin e banesave shtyhen më 2012
Me një udhëzim të posaçëm që pritet të dalë këto ditë, ata që kanë bërë deklarimin për rivlerësimin e apartamenteve deri më 31 dhjetor, do të mund të kryejnë pagesat dhe të marrin vërtetim hipoteke me vlerën e re edhe gjatë vitit 2012.
Ministria e Financave ka gjetur një zgjidhje për shtyrjen e afateve të ligjore të amnistisë fiskale, sidomos për rivlerësimin e banesave. Me një udhëzim të posaçëm që pritet të dalë këto ditë, ata që kanë bërë deklarimin deri më 31 dhjetor, do të mund të kryejnë pagesat dhe të marrin vërtetim hipoteke me vlerën e re edhe gjatë vitit 2012. Lajmin e ka dhënë dje ministri i Financave, Ridvan Bode, sipas të cilit do të gjendet një zgjidhje e ndërmjetme për të mos penguar dyndjen e madhe të njerëzve për rivlerësimin e banesave të tyre. Kështu, qeveria ka vendosur të shtyjë dhe amnistinë fiskale. Bëhet fjalë për deklarimin e pasurive të paluajtshme të cilat duhet të rivlerësohen. Brenda pak ditësh do të publikohet formulari për t’u plotësuar dhe pagesa mund të kryhet gjatë 2012-ës. "Kemi një dyndje të madhe të individëve për të deklaruar vlerën e re të shtëpisë së tyre, qoftë dhe në bazë të çmimeve referuese që ka harta e vlerave dhe për të mundësuar mënjanimin e pagesës së një takse prej 10 për qind, të diferencës së çmimit që shtëpia do të ketë momentin e shitjes, me atë që ka pasur në momentin fillestar të regjistrimit, të cilat kanë qenë të ulëta. Ne si ministri Finance do të mundohemi të gjejmë zgjidhjen për t’i çliruar të gjithë ata që duan të deklarohen deri më 31 dhjetor, përmes një deklarate individuale, të cilat të depozitohen si të tilla deri në datën 31, dhe pavarësisht nga data e pagesës së shumës të quhet deklarim i bërë", - vijoi Bode. Për rivlerësimin e banesës nuk janë të interesuar vetëm ata që nuk kanë hipotekë, por edhe persona të tjerë që kanë blerë me herët banesat e tyre. Nëse do të marrësh një kredi dhe shtëpia jote ka një vlerë sipas hipotekës vetëm 30 mijë dollarë, këtë banka e merr në konsideratë. Mirëpo vlera reale e banesës aktualisht është 100 mijë dollarë. Kështu që për diferencën 70 mijë dollarë në një periudhë normale duhet paguar taksë 10 për qind, por amnistia fiskale mundëson vetëm 1 për qind. Duke parë interesin gjithnjë e në rritje të qytetarëve për rivlerësimin e banesave të tyre në kuadër të amnistisë, qeveria do të mund të shtyjë procesin. Mjafton vetëm deklarimi këtë vit dhe më pas procedurat e pagesës mund të shtyhen edhe për vitin që vjen. Qytetarët përfitojnë nga shitja e pasurisë së tyre një ulje që është sa 1/10 e asaj që do të paguanin në momentin e shitjes. Ministria e Financave bën të ditur se rivlerësimi i kapitalit do të ketë një kosto shumë të ulët për qytetarët, të cilët do të paguajnë vetëm 1 për qind të vlerës që del nga diferenca mes çmimit të shitjes dhe çmimit të blerjes së apartamentit. Për këtë diferencë aktualisht paguhet 10 për qind. Por të gjithë ata qytetarë që nuk i kanë deklaruar shtëpitë e tyre me vlerën e plotë për shkak të kësaj takse, mund të përfitojnë nga falja e aplikuar këtë vit, pasi ajo do të jetë unike dhe nuk do të përsëritet më. Nga ky proces mund të përfitojnë edhe ata persona, të cilët kanë përfituar nga privatizimi i banesave në vitin 1992. Amnistia mbyllet më datë 31 dhjetor dhe deri më tani vetëm një pjesë e vogël e detyrimeve tatimore e doganore janë shlyer. Qeveria parashikonte një shlyerje deri në 400 milionë dollarë, por vetëm 40 milionë janë deklaruar deri më tani.