E Shtunë, 31 Tetor 2026

Administrata tatimore e gjitha “në sitë” për të verifikuar aftësitë profesionale



Ervin KOÇI

Të gjithë punonjësit e Ministrisë së Financave dhe të institucioneve në varësi të saj, do të duhet që të ritestohen për aftësitë e tyre profesionale, me qëllim mbajtjen e vendeve të punës. Me një vendim të posaçëm të qeverisë dhe të propozuar nga ministri i Financave, për ti dhënë fund emërimeve nepotike në administratë, do të bëhet pikërisht testi që do të verifikojë aftësitë profesionale të punonjësve. Të parët që do të vihen në procesin e testimit, do të jenë dy institucione mjaftë të rëndësishme, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe e Doganave, si dhe degët e tyre në rrethe. Sipas kësaj skeme, askush nuk do të merret më në punë, ngrihet në detyrë, apo ndryshuar pozicionin, pa dhënë më parë provim mbi aftësitë profesionale. Testimet do të zhvillohen nga Qendra e Trajnimit të Administratës Tatimore dhe Doganore, e quajtur ndryshe me vendim qeverie, “Akademia”. Projekti ndodhet në hapat e fundit dhe zbatimi parashikohet të nisë në tre muajt e ardhshëm. Sipas ideatorëve, në Akademi do të kryhen teste për çdo punonjës që kërkon të ngrihet në detyrë, si dhe prova verifikimi për pozicionin, në mënyrë që të shikohet qartë aftësia e doganierit dhe tatimorit. Po ashtu do të ketë provime në disa lëndë për kandidatët e rinj, edhe pse janë me diplomë apo master. Roli i Akademisë është të forcojë strukturat e administratës tatimore dhe doganore, duke ngritur anën profesionale të punonjësve, përmes testeve, provimeve dhe trajtimeve.

Testet e aftësisë
Sipas vendimit të qeverisë, marrë në dhjetor 2009, trajnimi pranë Akademisë është i detyrueshëm për të gjithë punonjësit e këtyre administratave. Sipas vendimit, datë 16 dhjetor, kurset organizohen për punonjësit në periudhë prove, si dhe në vazhdimësi për punonjës të tjerë, sipas një grafiku të hartuar në përputhje me listat emërore të paraqitura nga drejtoritë përkatëse. Gjatë kohës së trajnimit, nëpunësi merr pagën e plotë. Në përfundim të çdo kursi, organizohet provimi i vlerësimit të dijeve të marra. Vlerësimi i dhënë në përfundim të provimit bëhet pjesë e vlerësimit vjetor të të punësuarit në administratën tatimore apo doganore. Punonjësit në periudhë prove, të cilët nuk kalojnë provimin e vlerësimit të organizuar pranë Akademisë, nuk konfirmohen për përfundimin me sukses të periudhës së provës. Ai që kalon testin ngrihet në detyrë, në të kundërt rrezikon pozicionin, duke rrezikuar kështu dhe humbjen e statusit të nëpunësit civil për të cilën aplikon. Me një fond të veçantë, prej 20 milionë lekësh, Akademia do të vërë para testimit të gjithë punonjësit e administratës së fiskut, që mendohet të jenë rreth 2500.

Kualifikimet
Aktualisht, tatimet dhe doganat kryejnë sipas mundësive kurse trajnimi, kurse plani i Akademisë synon zhvillime të posaçme kualifikimi, me specialistë të njohur, pedagogë nga administrata fiskale etj. Forma e re e rekrutimit aplikohet prej vitesh në vendet e zhvilluara perëndimore dhe tani provohet të zbatohet edhe në Shqipëri. Sipas projektit, kandidati që kërkon të punësohet në tatime apo në doganë, si fillim do të ndjekë një kurs tremujor, duke dhënë provime specifike të fushës. Sa u takon tarifave të shkollës, nuk ka ende një plan të qartë, pasi një tjetër mundësi financimi do të jetë buxheti i shtetit. I gjithë projekti kushton 20 milionë lekë, por nuk përjashtohet mundësia e sponsorëve nga ana e biznesit.

Funksionimi i Akademisë
Krijimin e Qendrës së Trajnimit të Administratës Tatimore dhe Doganore (Akademia), do të jetë në varësi të ministrit të Financave. Akademia do të sigurojë formimin profesional të administratës tatimore dhe doganore, i cili përfshin trajnimin në periudhën e provës, për zhvillimin e karrierës, për përshtatje profesionale, në rastet e ndryshimit të kërkesave të vendit të punës, sipas ligjeve të fushës dhe me karakter të posaçëm për kryerjen e detyrave të veçanta. Organet drejtuese të kësaj akademie janë drejtoria dhe bordi, i cili përcakton çdo vit programet e trajnimit të detyrueshëm dhe atij fakultativ të akademisë dhe merr vendime për veprimtarinë e akademisë. Një herë në vit, Bordi do të miratojë tarifat e shkollimit, që do të aplikohen për kurset e trajnimit bazë në administratën tatimore ose doganore, për personat që dëshirojnë të bëhen pjesë e këtyre administrative dhe për trajnimin e personave, që janë në periudhë prove. Bordi drejtues, i cili luan rol kryesor në zhvillimin e Akademisë, mund të miratojë kriteret shtesë, që duhet të plotësojnë trajnuesit.

INSTAT, importet me Greqinë ranë me 23 për qind gjatë vitit të kaluar

Kriza ekonomike që ka përfshirë fqinjin tonë jugor Greqisë, ka goditur rëndë eksportet e Shqipërisë drejt këtij shteti. Sipas statistikave të tregtisë së jashtme të publikuara nga INSTAT-i, gjatë vitit 2009, Greqia bleu në Shqipëri 7.6 miliardë lekë mallra, ndërkohë që një vit më parë pati blerë 9.9 miliardë lekë, me një rënie prej 23 për qind. Për shkak të zhvlerësimit të lekut, situata faktike e eksporteve ka qenë edhe më negative nga sa pasqyrohet në statistikat zyrtare. Leku humbi 12 për qind të vlerës së tij kundrejt euros, gjë që i bën eksportet dhe importet të duken më të larta se sa realiteti. Ekonomia shqiptare pësoi një rënie në eksporte prej 8.5 për qind gjatë vitit të kaluar, sipas shifrave të INSTAT, ritëm disa herë më i ulët nga rënia e shënuar me Greqinë. Fqinji ynë jugor blen nga Shqipëria veshje të gatshme apo gjysmë të gatshme, metale etj., por kriza e uli ndjeshëm kërkesën për këto mallra. Rajoni i Korçës ku është vendosur pjesa dërrmuese e kompanive të veshjeve dhe këpucëve që punojnë me kontrata në Greqi, ka qenë edhe më i godituri nga kriza. Shumë punëtorë janë raportuar si të pushuar nga puna, ndërsa disa fabrika janë mbyllur. Kriza greke nuk ka ndonjë ndikim shumë të madh tek eksportet shqiptare për shkak të peshës së vogël. Drejt Greqisë u dërguan 7.4 për qind e eksporteve totale shqiptare gjatë vitit 2009, nga 8.8 për qind që ishin eksportet në vitin 2008.

3 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›