Regjistrimi i Pasurive të Paluajtshme, vetëm nëpërmjet sistemit bankar
Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZQRPP), njofton se prej disa ditësh, Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP), kanë filluar të operojnë vetëm nëpërmjet sistemit bankar për arkëtimet e vlerave të shërbimeve mbi 1000 lekë që ofron. Kjo mënyrë e re e shërbimit të ofruar nga ZVRPP-të, mundësohet në zbatimi të Ligjit Nr. 9936, i datës 26.06.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, Udhëzimit të Ministrisë së Financave Nr.1, i datës 21.01.2010, “Për zbatimin e buxhetit të vitit 2010”, si edhe Urdhrit të Ministrit të Financave Nr. 95, datë 11.11.2009, “Për miratimin e faturës së arkëtimit”. Në zbatim të Ligjit, Udhëzimit dhe Urdhrit të mësipërm, prej disa ditësh ZVRPP-të kanë filluar të pajisin paraprakisht të gjithë individët/subjektet më “Faturë Arkëtimi” për të gjitha të ardhurat jotatimore (të ardhurat nga shërbimet që ofron çdo ZVRPP, gjobat) dhe të ardhurat nga taksat lokale.
ZQRPP-ja, tërheq vëmendjen se, individët/subjektet duhet të paraqiten në sportelet e bankave për të realizuar derdhjen/transfertën e mjeteve monetare në llogaritë e Thesarit, vetëm pasi të jenë pajisur nga ZVRPP-të me “Faturën e Arkëtimit”
3 Mars 2010