E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi pret Delegacionin e Asamblesë së NATO-s, vlerësohet dialogu politik



Në ditën e dytë të qëndrimit në Shqipëri, Delegacioni i Asamblesë Parlamentare të NATO-s është pritur dje në një takim nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Në këtë vizitë të parë të tyre për vitin 2010, që nisi me Shqipërinë, anëtarët e Delegacionit janë njohur me zhvillimet më të fundit në vend dhe situatën aktuale politike. Presidenti Topi vuri në dukje se përmbushja me sukses dhe sa më e shpejtë e reformave integruese për t’u integruar në Bashkimin Europian janë një prioritet i shtetit shqiptar, por edhe përgjegjësi përpara shtetasve shqiptarë dhe partnerëve ndërkombëtarë, të cilët kanë mbështetur në vazhdimësi konsolidimin e institucioneve dhe të një shoqërie demokratike në vendin tonë. Senatori italian, De Gregorio, vlerësoi rolin pozitiv dhe moderator të vendit tonë si faktor shumë i rëndësishëm për paqen dhe qëndrueshmërinë në rajonin ballkanik, duke siguruar gjithashtu që vendet partnere dhe mike do të vazhdojnë të ofrojnë ndihmesën dhe mbështetjen për përmbushjen e aspiratave integruese europiane të popullit shqiptar.

Topi me Shoqatën e ish-të Përndjekurve: “Krimet e komunizmit nuk dënohen me retorika”

“Krimet e komunizmit nuk mund të dënohen duke përdorur thjesht retorika”. Kështu është shprehur kreu i shtetit Bamir Topi gjatë një takimi me një përfaqësi të Shoqatës Mbarëkombëtare për Integrimin e të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë. Sekretari i Përgjithshëm i kësaj shoqate, Besim Ndregjoni, shoqërohej në këtë takim nga vëllai i poetit të ekzekutuar nga regjimi komunist, Vilson Blloshmi. Kreu i shtetit i siguroi përfaqësuesit e Shoqatës Mbarëkombëtare të të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë për mbështetjen dhe përkrahjen e tij të plotë institucionale dhe njerëzore për rehabilitimin dhe riintegrimin e kësaj shtrese në të gjitha aspektet e jetës shoqërore të vendit.
Ata i dhuruan kreut të shtetit shqiptar në shenjë vlerësimi librin e autorit Bedri Blloshmi të titulluar: “Fabrikimi i vdekjes”, në të cilin botohet e plotë historia tragjike dhe dosjet e sigurimit për poetët e ekzekutuar në mënyrë makabre nga diktatura komuniste – Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës. Presidenti Topi theksoi se “ky libër jo vetëm përmban vlera historike dhe dokumentuese, por shërben si një pikë referimi që shoqëria shqiptare duhet ta lexojë e të mundohet që të përfytyrojë krimet e periudhës diktatoriale, të cilat nuk mund të dënohen dot duke përdorur thjesht retorika”.

3 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›