E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferenca e Kryetarëve: Më 18 mars, seancë për komisionin hetimor të PS-së



Eljona Ballhysa
Konferenca e Kryetarëve, pas një mbledhjeje që ka zgjatur mbi dy orë, vendosi dje që dy nismat ligjore të Partisë Socialiste të diskutohen në seancën parlamentare të datës 18 mars. Ndërkaq, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, u shpreh pas mbledhjes se të dyja partitë kanë dy javë kohë që të negociojnë në mënyrë që të dyja këto nisma të hartohen në përputhje me Kushtetutën. Ndërsa kryetari i ri i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, u shpreh se në këtë mbledhje u diskutua vetëm për anën procedurale dhe jo për përmbajtjen e dy projektligjeve të depozituara nga Partia Socialiste, që synojnë hetimin e procesit zgjedhor të 28 qershorit duke përfshirë dhe hapjen e kutive të votimit në ato qendra ku ka pretendime për manipulimin e rezultatit të zgjedhjeve.
Debati
Burimet nga kjo mbledhje bënë të ditur se përgjatë dy orëve, përfaqësuesit e maxhorancës kanë debatuar me përfaqësuesin e opozitës përsa i përket kërkesës për hapjen e kutive të votimit. Socialistët, nga njëra anë, këtë kërkesë e cilësojnë kushtin parësor për të vazhduar punën normalisht Kuvendi, përndryshe ata shprehen se do të rifillojnë protestat deri në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Ndërsa demokratët nuk lëshojnë pe në këtë kërkesë duke u shprehur kategorikisht kundër hapjes së kutive.
Konferenca e Kryetarëve u mblodh dje rreth orës 13:00 dhe ka përfunduar rreth orës 15:00. Në fillim të mbledhjes, kryetarja e Kuvendit, Topalli, e uroi Gramoz Ruçin për zgjedhjen e tij në krye të Grupit Parlamentar të PS-së. Më tej Topalli theksoi në fjalën e shkurtër hyrëse se nismat e PS-së do të shqyrtohen në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
Deklaratat
Menjëherë pas takimit, kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, deklaroi se në mbledhjen ku u ul pozita dhe opozita për herë të parë pas zgjedhjeve të 28 qershorit, u ra dakord për procedurën, por jo për përmbajtjen e kërkesave të Partisë Socialiste. “Ruçi na çuditi me kërkesën për ndryshimin e ligjit për komisionet hetimore. Maxhoranca është dakord për të shqyrtuar nismën e Partisë Socialiste për procedurën dhe jo për përmbajtjen”, - theksoi Patozi. Ndërkaq, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, theksoi se mbledhja u zhvillua mes debatesh të shumta, ndërsa shtoi se pranimi i kërkesave të opozitës është vetëm çështje vullneti politik. I pyetur nëse opozita do të marrë pjesë në seancat e Kuvendit, Ruçi u shpreh se “do të presim se çfarë do të ndodhë me kërkesën e PS-së për hapjen e kutive”, duke lënë të pazbuluar vendimin e socialistëve për të marrë pjesë apo jo në seancat kuvendore përpara 18 marsit.
Të enjten e 25 shkurtit, deputetët e Partisë Socialiste thyen bojkotin 6-mujor të Parlamentit për të paraqitur 2 nisma ligjore të lidhura me hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, duke theksuar se opozita nuk do të heqë dorë nga kërkesa për hapjen e kutive të votimit. Në njërën prej këtyre nismave socialistët kërkojnë të sanksionojnë me ligj hapjen e kutive të votimit, kur këto kërkohen nga shumica e anëtarëve të komisionit hetimor parlamentar. Ndërkaq, nisma tjetër e paraqitur prej PS-së lidhet vetëm me zgjedhjet e 28 qershorit 2009. PS-ja propozon ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar të përbërë nga 15 anëtarë, ku shumica i takon partisë më të madhe të opozitës. Si objekt të hetimit të këtij komisioni, PS-ja propozon hetimin e akuzave dhe dyshimeve publike të ngritura nga partitë politike, si dhe vëzhguesit vendas e ndërkombëtarë për moszbatim të legjislacionit në lidhje me procesin e numërimit dhe vlerësimit të votave në VNV. Socialistët propozojnë të hetojnë dyshimet dhe akuzat e ngritura nga partitë dhe vëzhguesit vendas e ndërkombëtarë për proces të parregullt votimi në qendrat e votimit.

3 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›