Gramoz Ruçi mban “timonin” e Grupit Parlamentar të PS-së, zgjidhet me 55 vota pro
Socialistët përgatiten për hyrjen në Kuvend, ndërkohë do të vazhdojë lufta për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Kryetari i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi, u zgjodh kryetar i Grupit Parlamentar të PS-së. Dje në mesditë u mblodh Kryesia e PS-së, ku propozoi Ruçin si kryetar të Grupit Parlamentar, por mbledhja e Grupit, fill pas mbarimit të mbledhjes së Kryesisë, do të zyrtarizonte Ruçin si kreun e Grupit Parlamentar të socialistëve. Në mënyrë unanime, me 55 vota pro, asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste zgjodhi zotin Gramoz Ruçi kryetar. Votimi për zgjedhjen e kryetarit të Grupit Parlamentar të PS-së është zhvilluar i fshehtë. Kryetari i komisionit të votimit në Grupin e PS-së, deputeti Eltar Deda, pas procesit të numërimit dhe administrimit të dokumentacionit zgjedhor ka komunikuar për mediat. Grupi i deputetëve ka zhvilluar diskutime edhe për projektvendimin e dorëzuar po ashtu në administratën kuvendore lidhur me ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare. “Sot, në mbledhjen e Grupit Parlamentar u diskutua në lidhje me qëndrimin e Partisë Socialiste mbi projektligjin e dorëzuar në Parlamentin e Shqipërisë për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 8891 i datës 05.02.2002 ‘Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit’ dhe projektvendimin për ngritjen e komisionit hetimor”, - deklaroi deputeti Deda.
3 Mars 2010