KESH dhe KEK marrëveshje të përbashkët për energjinë
Korporata Energjetike e Kosovës dhe Korporata Elektreoenergjetike e Shqipërisë janë zotuar për avancimin e bashkëpunimit të ndërsjellë, si dhe për angazhimin e përbashkët mes tyre në tejkalimin e vështirësive për furnizimin optimal me energji elektrike të të dyja vendeve. Lajmi bëhet me dijeni nga burime zyrtare të KEK dhe KESH, lidhur me rezultatet e një vizite që i bëri KEK-ut drejtori i përgjithshëm i KESH-it, Muharrem Stojku i shoqëruar me bashkëpunëtorë të tij. Këto burime sqarojnë se tashmë dy korporatat funksionojnë si një e vetme dhe takimi i punës ka shërbyer për të ripërtërirë zotimin dhe marrëveshjen që funksionimi i tillë do të vazhdojë edhe në periudhën në vijim. “Ky bashkëpunim do të ndihmojë edhe më tej në realizimin më të lehtë të planit të prodhimit të energjisë elektrike dhe ofrimin e një shërbimi gjithnjë e më të mirë për konsumatorin”,- thuhet në deklaratën përkatëse. Duke shtuar më tej se në takim, u arrit edhe një marrëveshje që brenda një periudhe të shkurtër kohore të ftohet një takim rajonal i kompanive energjetike, për të ndërtuar një bashkëpunim edhe më të afërt dhe më domethënës në mes të vendeve fqinje në fushën e energjetikës. Të dy Korporatat në fund të muajit prill do jenë mikpritëse të një forumi ndërkombëtar mbi energjetikën që do të mbahet në Tiranë, ku në prani të shumë ndërmarrjeve të njohura rajonale dhe evropiane do të diskutohet mbi mundësitë që ofrojnë të dy shtetet tona në fushën e energjetikës.
Ministria e Mjedisit gjobit 27 subjekte që merrnin zhavorrin e lumenjve
Inspektorati i Mjedisit, në bazë të Vendimit të KKU, nr.1, datë 21.06.2006, “Për reduktimin e shfrytëzimit të zhavorreve dhe rërave në shtretërit e lumenjve”, sanksionon 27 subjekte që kanë abuzuar me shfrytëzimin e rërës dhe të zhavorreve në shtratin e lumenjve Erzen, Mat dhe Tërkuzë. Pas kontrollit që ka ndërmarrë Drejtoria e Kontrollit për Mjedisin, Inspektorati i Mjedisit, Sektori i Burimeve Ujore, ARM Tiranë, AUB Tiranë, Sektori i Policisë Pyjore në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka rezultuar se këto subjekte kanë pasur mangësi serioze në punën e tyre. Gjobat e vendosura në të gjitha subjektet kapin shifrën e 34 milionë lekëve, ndërkohë që për disa prej tyre kanë marrë masa për pezullimin e veprimtarisë. Sipas Ministrisë së Mjedisit, lumi Erzen cilësohet si një zonë e ndaluar për nxjerrjen e materialeve inerte. Kjo i bën të paligjshme të gjitha subjektet të cilat ushtrojnë veprimtarinë e tyre në këtë lumë. E njëjta situatë është vërejtur edhe në subjektet që operojnë në luginën e Matit dhe Tërkuzës, të cilat nuk janë të pajisura me një leje mjedisore apo leje për shfrytëzimin ujor që do të legjitimonin veprimtarinë e tyre.
3 Mars 2010