E Shtunë, 31 Tetor 2026

Administratorët e pallateve, ende të jashtëligjshëm



Megjithëse ligji për administratorët e pallateve ka hyrë në fuqi, në të vërtetë ende nuk është zbatuar. Kjo situatë bëhet shkak për një numër problemesh të pazgjidhura në jetesën në komunitet. Banorët e pallateve të reja kanë një administrator, por jo siç parashikohet në ligjin aktual. Ata kanë zgjedhur njërin prej tyre, i cili merret me ashensorin dhe pastrimin e shkallës apo shërbime të tjera, kundrejt një pagese të bërë me marrëveshje mes tyre. Të punësuarit si administratorë, shpeshherë hasin në kontradikta me banorët, të cilët nuk dëshirojnë të paguajnë. Kjo është ndarja e mënyrës ligjore të punësimit të banorëve dhe mënyrës së zgjedhur me mirëkuptim mes palëve. Pagesa që ata marrin për çdo familje është e ulët, pasi paguhen 2 mijë deri në 3 mijë lekë në muaj për pastrimin e territorit përreth. Pavarësisht se administratori i zgjedhur nga vetë këta banorë nuk ka fuqi ligjore që t’i detyrojë ata të paguajnë tarifën mujore për mirëmbajtjen e ambienteve, gjendja në këto pallate është dukshëm më mirë se aty ku administratori nuk ekziston, që kryesisht janë pallate të vjetra të ndërtuara para vitit ‘90.
Ligji më i ri për administratorët, synon mirëmbajtjen e pronës së përbashkët dhe shmangien e konflikteve mes qytetarëve për çështje komunitare. Sipas ligjit, çdo pallat duhet të jetë nën mbikëqyrjen e administratorëve, puna e të cilit kontrollohet nga pushteti vendor. Qytetarët shqiptarë që jetojnë në ndërtesa të përbashkëta banimi (pallate), si dhe në blloqe banimi, janë të detyruar që në bazë të ligjit të ri të paguajnë për administrimin dhe mirëmbajtjen e hapësirave të përbashkëta. Në çdo pallat do të vendoset një administrator që do të ketë detyra të përcaktuara për t’u marrë me problemet që kanë banorët, përsa i përket mirëmbajtjes së pallatit, problemet me ujin, dritat etj. Ligji detyron krijimin e asamblesë së bashkëpronarëve dhe administratorëve, ndërsa njësitë vendore ngarkohen për thirrjen e tyre dhe diskutimin e situatave. Ato duhet të krijojnë regjistrin e bashkëpronësisë, që duhet të përmbajë emrat e anëtarëve të kryesisë dhe adresën e ndërtesës së banimit. Ligji gjithashtu, ngarkon bashkitë dhe njësitë vendore të hartojnë programe nxitëse për rikonstruksionin e ndërtesave të dëmtuara duke kontribuar me financime pjesore. Policia Bashkiake dhe Inspektorati Ndërtimor dhe Urbanistik do të kenë rolin e tyre në mbikëqyrjen e administrimit të banesave nga administratorët. Në raste shkeljesh janë parashikuar gjobitje për mënyrën e administrimit të bashkëpronësisë. Pas miratimit të këtij ligji, tani pritet që të plotësohet kuadri ligjor për zbatimin e tij, me akte të tjera nënligjore. Në ligj përcaktohet që asambletë në fillim të çdo viti do të përgatisin një paketë administrative ku përcaktohet tërësia e shërbimeve për mirëmbajtjen dhe administrimin e pronës së përbashkët si dhe kostoja e tyre.

30 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›