E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia, si vendosen emrat e rrugëve të kryeqytetit



Emanuela Sako

Bashkia e Tiranës ka emërtuar të gjitha rrugët e kryeqytetit edhe pse deri më sot janë evidentuar si zona informale. Zakonisht, rrugët mbajnë emra njerëzish të famshëm, që kanë lënë gjurmë në historinë e vendit tonë. Por një pjesë e tyre janë emra të huaj, por që janë të njohur në të gjithë botën. Me sistemin e ri të adresarit, janë vendosur rreth 1238 emra rrugësh në të gjithë Tiranën. Specialistët e Bashkisë së Tiranës për trashëgiminë kulturore, bëjnë të ditur se këta emra mund të propozohen nga qytetarë të Tiranës, nga organizata të ndryshme, apo nga Akademia e Shkencave. Pasi bëhet propozimi pranë Bashkisë, ato diskutohen në Këshillin Bashkiak të Tiranës, ku anëtarët votojnë ose jo emrat e propozuar. Sipas specialistëve të Bashkisë, aktualisht ka ende propozime që paraqiten pranë këtij institucioni për emrat e rrugëve.
Adresat
Burime nga Bashkia e Tiranës bëjnë të ditur se tashmë ka përfunduar faza e dytë e projektit të adresarit, ku janë regjistruar dhe emërtuar të gjitha zonat dhe ndërtesat e kryeqytetit. Tashmë ky proces është në fazën e verifikimit në terren nga specialistët e njësive vendore, të cilët do të japin rezultatet përfundimtare të këtij procesi. Pritet që regjistrat e Gjendjes Civile do të jenë të plotë duke i shtuar edhe të dhënat për apartamentet apo banesat ku jetojnë. Çdo qytetar do të figurojë me adresë të saktë të shtëpisë në të gjitha njësitë bashkiake. Kështu, të gjithë qytetarët do të kenë një “dosje” të me të dhënat e tyre, duke ndihmuar për mënyrat e kontaktit për çfarëdolloj situate që mund të krijohet. Aktualisht, specialistët e Bashkisë së Tiranës në bashkëpunim me njësitë bashkiake, kanë përfunduar identifikimin e të gjitha rrugëve të kryeqytetit dhe identifikimin e çdo banese dhe e çdo pallati që ndodhet në një lagje të kryeqytetit. Aktualisht ka përfunduar puna për emërtimin e të gjitha rrugëve dhe shesheve në qytetin e Tiranës, duke përmbyllur fazën e parë të projektit të Adresarit.
Projekti
Të gjitha emrat e rrugëve të emërtuara do të hidhen në faqen zyrtare të internetit të Bashkisë së Tiranës, në sistemin GIS. Kjo do të jetë një përparësi për çdo qytetar shqiptar apo të huaj që do të kërkojë emërtimet e reja të rrugëve. Ata do të kenë mundësinë të futen falas në faqen zyrtare për të marr informacionin e duhur. Ndërkohë, ka përfunduar edhe faza e numërimit të godinave, që është edhe hapi i fundit drejt krijimit të Adresarit të Tiranës ku çdo godinë do të ketë për referencë një emër rruge në të cilën ndodhet, si dhe një numër të godinës dhe shkallës. Projekti zhvillohet në bashkëpunim me njësitë bashkiake dhe janë 1238 emra rrugësh që figurojnë në Adresar, nga të cilat 840 janë emra të rinj. Me përfundimin e Adresarit, do të vijohet plotësimi i regjistrave të gjendjes civile, të cilat do të përshtaten me adresat e reja. Me identifikimin e të gjitha banesave dhe plotësimin e detajuar me të dhënat për çdo person, të cilat do të jenë të dokumentuara në gjendjet civile në njësitë bashkiake përkatëse, do të zgjidhen një sërë problemesh me të cilat qytetarët hasen çdo ditë. Vetëm pak muaj më parë është bërë dixhitalizimi i këtij shërbimi, ku tashmë është më e lehtë të bëhet verifikimi i të gjithë personave. Çdo cep i kryeqytetit
është i identifikuar dhe ka një emër, ku kushdo mund t’i referohet për arsye të ndryshme. Vitet e fundit, emërtimi i rrugëve ka munguar dhe përcaktimi i saktë i një zone të kryeqytetit ka qenë tepër i vështirë.

30 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›