Terrorizmi në Kosovë, Policia garanton: Nuk jemi të rrezikuar
Arrestimi i shtetasit kosovar për veprime terroriste në Shtetet e Bashkuara ka shkaktuar shqetësime në Kosovë për shkak të një sulmi të mundshëm terrorist. Policia e vendit lidhur me këtë rast siguron se nuk ekziston asnjë rrezik, megjithatë analistët vlerësojnë se Kosova nuk është imune ndaj terrorizmit. Nga informacionet më të fundit rezutoi se shtetasi kosovar i arrestuar quhet Hysen Sherifi dhe është nga Gjilani. Ai, bashkë me 6 persona tjerë, akuzohet për terrorizëm. Policia e Kosovës konfirmon se herën e fundit Sherifi ka qenë në Kosovë në korrik të vitit 2008. Autoritetet e Kosovës, informacionet në lidhje me veprimtarinë e këtij personi të akuzuar për terrorizëm ia kanë dorëzuar shtetit amerikan. Departamenti amerikan i drejtësisë ka bërë të ditur se ndaj të arrestuarit 24-vjeçar Sherifi, rëndon edhe akuza e udhëtimit të tij në Kosovë “për t’u angazhuar në xhihad të dhunshëm”. Asnjë detaj tjetër nuk është bërë publik për këtë çështje ndërkaq zëdhënësi i Policisë, Besim Hoti, shpjegon:
“Policia e Kosovës ka kryer të gjitha detyrimet që ka pasur në aspektin e dhënies dhe marrjes së informacioneve me zyrtarët e qarqeve të ndryshme, që kanë të bëjnë me rastin në fjalë”. Edhe pse grupi është akuzuar se veç Izraelit e Jordanisë, po përgatiste dhe planifikonte sulme terroriste edhe në Kosovë, autoritetet policore nuk janë të shqetësuara. Përmes zëdhënësit Besim Hoti, policia thotë se Kosova nuk është e rrezikuar nga sulmet eventuale terroriste. “Nuk parashihet ndonjë situatë shqetësuese. Ne nuk kemi të dhëna për sulme të tilla të mundshme. Prandaj, qytetarët e Kosovës nuk kanë nevojë që të shqetësohen për këtë”,- tha Hoti. Mendim të kundërt shpreh Arben Qirezi, njohës i çështjeve të sigurisë. Ai thotë se Kosova, sikurse edhe shumë shtete të tjera, nuk është imune ndaj terrorizmit global. Kjo, sipas tij, dëshmohet më tepër pas arrestimit të grupit të fundit në Karolinën Veriore. “Kur terrorizmi vepron globalisht, kur në celula të ndryshme terroriste janë të përfshirë nga vende të ndryshme dhe kur këto celula mund të krijohen e zhvillohen në vende të ndryshme, as Kosova nuk është dhe nuk mund të jetë imune nga rreziqet që i sjell terrori transnacional. Mund të ketë edhe brenda në Kosovë njerëz me axhenda, të cilat nuk janë në interes jo vetëm të Kosovës, por të zhvillimit njerëzor, që përpiqen të fitojnë mendjen dhe zemrat e të rinjve në Kosovë”,- shprehet Qirezi. Ai mendon se shndërrimi i Kosovës në shënjestër të sulmeve terroriste ka dëme të shumanshme. Në anën tjetër, institucionet thonë se Kosova ka një politikë të qartë në luftën kundër terrorizmit, për zbatimin e së cilës bashkëpunojnë me të gjitha strukturat e sigurisë, si dhe me KFOR-in.
30 Korrik 2009