Gripi i derrit, simptomat e shfaqjes të virusit në organizëm
Emanuela Sako
Specialistët shpjegojnë simptomat e shfaqjes së virusit të gripit të derrit, për tu mundësuar qytetarëve se si duhet të kuptojnë kur janë të prekur. Mjekët infeksionistë shprehen se virusi qëndron i fshehur në organizëm dhe ai shfaqet në ditën e tretë, nga dita e marrjes së virusit. Ata bëjnë të ditur se simptomat më të forta që shfaqen tek pacientët, janë gjatë javës së parë nga prekja. Specialistët e ISHP-së, shprehen se të gjitha rastet që paraqiten, kanë të njëjtat shenja klinike të gripit, ku personat mund të kenë temperaturë 38 gradë celsius, dhimbje koke, dhimbje fyti, kollë, dhimbje muskulore si dhe lodhje. Të gjithë personat që kanë këto simptoma janë nën mbikëqyrjen e mjekëve dhe marrin mjekimin në familjet e tyre. Virusi i gripit të derrit në vendin tonë nuk është shfaqur agresiv, por është në formën e tij më të lehtë. Mjekët bëjnë të ditur se gjatë evidentimit të virusit nga mjekët, të gjithë pacientët duhet të trajtohen nëpërmjet kurave të posaçme, dhe jo me Tamiflu, e cila përdoret vetëm në rastet e rënda. Për këtë arsye, ata bëjnë apel që askush të mos përdorë Tamiflunë pa rekomandimin e mjekëve, të cilët duhet që në fillim të përcaktojnë gjendjen e tyre shëndetësore.
Rastet
Gjatë këtyre ditëve, Instituti i Shëndetit Publik nuk ka konfirmuar raste të tjera, të virusit A/H1N1. Sipas tyre, kjo tregon se përhapja e virusit në vendin tonë është e ngadaltë krahasuar me shtetet fqinje. Ndërsa survejanca për të kapur çdo rast të dyshuar në urgjencat dhe poliklinikat e Tiranës është e lartë. Specialistët bëjnë thirrje që të gjithë qytetarët që vënë re simptomat e para duhet të shkojnë tek mjeku i familjes, apo mjeku infeksionist për të vëzhguar gjendjen shëndetësore dhe parandalimin e ndonjë infeksioni të mundshëm. “I sëmuri dërgohet te mjeku i familjes. Në momentin që mjeku i familjes dyshon se i sëmuri është me grip, duhet se s’bën ta drejtojë te infeksionisti dhe ky vendos diagnozën. Analiza është thjesht për konfirmimin e diagnozës. Është mjeku specialist, ai që do të vendosë se në çfarë trajtimi do vendoset i sëmuri. Të gjithë të sëmurët që dyshojnë se kanë shenjat e gripit duhet të paraqiten te mjeku”,- shprehet Alma Hoxha, mjeke infeksioniste. Në poliklinikat e Tiranës, mjekët infeksionistë janë në gatishmëri të lartë për të pritur çdo pacient. Në poliklinikën Qendrore në Tiranë, priten çdo ditë me qindra pacientë, ku ende nuk janë marrë mostra të pacientëve të dyshuar nga virusi A/H1N1.
Rezultatet
Gjatë kësaj jave disa persona të tjerë kanë rezultuar të prekur me virus nga ekzaminimet e kryera në ISHP. Aktualisht, priten përgjigjet për pesë persona të moshës 16 deri në 23 vjeç, ku laboratorët Rumun do të përcaktojnë nëse virusi që ata mbartin i përket AH1N1. Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik bëjnë të ditur se analizat e këtyre personave do të bëhen publike Brenda disa orëve. Tre persona nga këto raste të mundshme me gripin e derrave kanë shfaqur shenja të menjëhershme të sëmundjes, pasi kanë udhëtuar në Angli dhe Rumani. Ndërsa dy rastet e tjera nuk kanë udhëtuar jashtë vendit dhe nuk kanë pasur lidhje me persona të tjerë që mund të kenë qenë mbartës të këtij virusi. Specialistët e ISHP-së shprehen se të gjitha rastet paraqiten me shenja klinike të lehta të gripit dhe me temperaturë 38 gradë celsius, dhimbje koke, dhimbje fyti, kollë, dhimbje muskulore si dhe lodhje. Këto raste nuk janë shtruar në spital dhe izolimi i tyre është bërë në kushtet e shtëpisë. Të 5 pacientët janë në moshë të re dhe i përkasin moshës 16-23 vjeç. Ata nuk kanë shfaqur simptoma të sëmundjeve të tjera shoqëruese si ato me origjinë respiratore, sëmundje zemre, diabet, shtatzëni apo sëmundje që dëmtojnë imunitetin. Specialistët theksojnë se deri tani vlera mesatare e mostrave të marra në javë ka arritur deri në 30, të cilat dërgohen menjëherë për ekzaminim në ISHP. Në laboratorin e ISHP-së kryhet testi i imunofluoreshencës direkte dhe testi i shpejtë që japin përgjigjen paraprake brenda 2 orësh. Më pas kryhet kultura në linja qelizore nga ku izolohet virusi dhe kjo procedurë zgjat nga 24-72 orë.
30 Korrik 2009