Administratori Thaka thotë mjaft. Gati largimi nga Partizani
Të kuqtë e kanë nisur sezonin në varësi të Ministrisë, por zvarritjet financiare mbeten në fuqi, gjë që ul optimizmin për të ardhmen
Partizani i sezonit të ri është nën administrimin e ndërmarrjeve të Ministrisë së Mbrojtjes, gjë e cila u mendua si katalizator i ringjalljes së demave të kuq. Ministria ka emëruar Gjergji Thakën administrator të skuadrës.
Por Thaka nuk ka asgjë në dorë, pasi më shumë ka shërbyer për anën organizative të hallkave të ekipit, si dhe një urë trasmetimi mes Partizanit dhe ministrisë. Fillimi ishte optimist, por ndonëse kanë kaluar 75 ditë nga administrimi i ri, problemi financiar mbetet ende gangrenë tek të kuqtë.
Ka më shumë se një muaj që është thënë se ndërmarrjet ushtarake, që kanë në varësi organikën e Partizanit e kanë garantuar anën financiare. Por livrimi i këtyre fondeve nuk është bërë realitet dhe çdo javë që nis thuhet se do të shlyhen brenda kësaj jave.
Duke ditur që Gjergji Thaka është personi që atakohet më shumë në terren si me organikën dhe anën organizative, ai ndihet i lodhur nga kjo situatë dhe, sipas tij, ka ardhur momenti të thuhet mjaft. Pra, Gjergji Thaka është shumë pranë largimit nga drejtimi i Partizanit, pasi nuk ka çfarë tu thotë lojtarëve rreth pagesave, si dhe të sigurojë të ardhura për të përballuar transferta të largëta.
Largim i detyruar Personalisht nuk mund të vazhdoj më në këtë mënyrë, ndonëse Partizanin e kam në zemër dhe e dua që të rikthehet në ditët e tij më të mira. Problemet financiare më detyrojnë që të largohem nga drejtimi i skuadrës, pasi nuk mund të sakrifikoj personalisht në aspektin financiar për të përmbushur nevojat e Partizanit.
Si mund të pretendosh të luash në transferta të largëta si ajo e Përmetit apo këtë javë që kemi Delvinën, të udhëtosh vajtje-ardhje brenda ditës, si dhe të luash në fushë. Deri tani kemi të garantuar një auto-ambulancë, një autobus, që të niset duhet ta mbushësh me karburant, kemi fushën stërvitore, dhomat e zhveshjes me dushe si dhe dy zyra.
Por këto nuk mjaftojë nëse pretendohet të ngresh një ekip me histori si Partizani. Realisht ndihem i lodhur nga kjo situatë, që nuk po merr rrugëzgjidhje dhe personalisht e shikoj se ka ardhur momenti për të thënë mjaft,- u shpreh dje administratori i Partizanit, Gjergji Thaka.
Pa dyshim ky është një lajm jo i mirë, pasi tregon se Partizani vijon të ecë virtualisht. Prandaj ministria, derisa pranoi ti dalë për zot, duhet të veprojë sa më parë, pa i rrëshqitur situata nga duart, kur dihet se ecuria e skuadrës është në shinat e duhura.
