Administratorja e UNDP Helen Clark siguron Kryeministrin Berisha për mbështetjen e projekteve të rëndësishme për vendin

Në nisje të vizitës së tij në SHBA, ku ndodhet për të marrë pjesë në Sesionin e 64-të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, Kryeministri Berisha u prit në një takim mjaft të përzemërt nga Administratorja e UNDP, zonja Helen Clark.
Zonja Clark i uroi mirëseardhjen Kryeministrit Berisha duke e përgëzuar për reformat dhe nismat e rëndësishme të ndërmarra nga qeveria shqiptare në fusha të ndryshme, duke veçuar “Shqipëria në moshën dixhitale”, për të cilën ajo shprehu vlerësimet më të larta.
Kryeministri Berisha falënderoi zonjën Helen Clark për të gjithë ndihmesën tejet të vyer që në këto vite UNDP, i ka dhënë implementimit të projekteve madhore për zhvillimin e vendit dhe bashkëpunimin e shkëlqyer, duke theksuar projektin ONE UN për të cilin Shqipëria u zgjodh dhe vend pilot, si dhe Projektin e shtrirjes së Internetit në çdo shkollë të vendit, si një prioritet i qeverisë shqiptare.
Kryeministri Berisha garantoi zonjën Helen Clark, se qeveria shqiptare do të ndërmarrë çdo hap dhe do të garantojë suportin e duhur për ecurinë e mëtejshme të projekteve të tilla, duke theksuar se ndihma dhe koordinimi nga ana e UNDP-së do të ishte shumë e çmuar.
Një tjetër projekt për të cilin u diskutua gjatë takimit, ishte dhe ai i Eko Turizmit. Kryeministri Berisha theksoi se kjo fushë kishte njohur një rritje të paparashikuar më parë dhe se potencialet e mëdha të vendit në turizëm si bregdetar, po ashtu dhe malor, hapnin horizonte të reja për një shfrytëzim më të madh e cilësor të tyre.
Zonja Helen Clark u shpreh mjaft e kënaqur që Kryeministri Berisha dhe qeveria që ai drejton do të kenë edhe kanë rastin që edhe në këtë mandat të dytë të zhvillojnë më tej reforma kaq të rëndësishme dhe e uroi atë përzemërsisht për rizgjedhjen e tij si Kryeministër i vendit.
Kryeministri Berisha kërkoi mbështetjen e UNDP për forcimin e sistemit të arsimit privat, në kuadër të një partneriteti publik e privat sa më eficent.
Kryeministri garantoi zonjën Helen Clark se qeveria shqiptare do të bazohet në modelet më të mira botërore. Ajo, vijoi Kryeministri, do të mobilizojë të gjitha forcat dhe risurset e saj në mbështetje të këtyre projekteve dhe se ndihma dhe mbështetja e UNDP do të ishte shumë e rëndësishme
Në këtë kuadër Administratorja e UNDP Helen Clark shprehu mbështetjen e saj dhe të UNDP për këto projekte kaq të rëndësishme të cilat do të shfrytëzojnë më së miri potencialet njerëzore, intelektuale dhe ekonomike të Shqipërisë.
22/09/2009