Administrimi i pallateve, Bashkia gjoba për administratorët që abuzojnë
Emanuela Sako
Sipas Bashkisë së Tiranës, bashkëjetesa në komunitet, tani ka një rregullator ligjor, ku mentaliteti i të jetuarit “brenda gardhit” ka krijuar dhe krijon probleme të pafundme në komunitetin tonë. Bashkëjetesa në pallate gjatë këtyre viteve bëri që në rastet më të mira mosmarrëveshjet të zgjidheshin në rrugë gjyqësore, ndërsa në raste të tjera me vetëgjyqësi, gjë që solli konflikte të panumërta. Për të shmangur këto situata u bë i mundur hartimi i sistemit rregullator në fushën e administrimit të bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit. Si rrjedhojë, u hartua dhe miratua ligji për “Administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit”, ku një nga pjesëmarrësit e hartimit ka qenë edhe Bashkia e Tiranës.
Administrimi i pallateve është mundësuar për të mirëmbajtur pronën e përbashkët dhe për të shmangur konfliktet mes qytetarëve. Pushteti vendor do të kontrollojë punën e administratorit, ku në rast abuzimesh ka të drejtë që të marrë masa ndaj tij. Masat penalizuese për administratorët do të jenë me gjobë, tarifat e së cilës nuk janë përcaktuar ende.
Administrimi
Në çdo pallat do të vendoset një administrator që do të ketë detyra të përcaktuara për t’u marrë me problemet që kanë banorët, përsa i përket mirëmbajtjes së pallatit, problemet me ujin, dritat etj. Ligji detyron krijimin e asamblesë së bashkëpronarëve dhe administratorëve, ndërsa njësitë vendore ngarkohen për thirrjen e tyre dhe diskutimin e situatave. Ato duhet të krijojnë regjistrin e bashkëpronësisë, që duhet të përmbajë emrat e anëtarëve të kryesisë dhe adresën e ndërtesës së banimit. Ligji gjithashtu, ngarkon bashkitë dhe njësitë vendore të hartojnë programe nxitëse për rikonstruksionin e ndërtesave të dëmtuara duke kontribuar me financime pjesore. Policia Bashkiake dhe Inspektorati Ndërtimor dhe Urbanistik do të kenë rolin e tyre në mbikëqyrjen e administrimit të banesave nga administratorët. Në raste shkeljesh janë parashikuar gjobitje për mënyrën e administrimit të bashkëpronësisë. Pas miratimit të këtij ligji, tani pritet që të plotësohet kuadri ligjor për zbatimin e tij, me akte të tjera nënligjore. Në ligj përcaktohet që asambletë në fillim të çdo viti do të përgatisin një paketë administrative ku përcaktohet tërësia e shërbimeve për mirëmbajtjen dhe administrimin e pronës së përbashkët si dhe kostoja e tyre.
Pagesa
Qytetarët shqiptarë që jetojnë në ndërtesa të përbashkëta banimi (pallate), si dhe në blloqe banimi, janë të detyruar që në bazë të ligjit të ri të paguajnë për administrimin dhe mirëmbajtjen e hapësirave të përbashkëta. Deri tani në mënyrë vullnetare dhe të paorganizuar mirë, shumë qytetarë paguajnë në pallatet ku jetojnë shuma parash që variojnë nga 500-2000 lekë në muaj dhe ku përfshihet mirëmbajtja e sendeve dhe ambienteve të përbashkëta. Në këtë kategori futen shkallët e pallatit dhe pastrimi i tyre, ndriçimi kolektiv, ashensori, gjeneratori, pompa e ujit dhe depozitat e pallatit, garazhet (kur janë kolektive) e deri tek parkimet kolektive të oborreve e lagjeve. Ligji i ri i ka përcaktuar qartë këto pagesa që do të variojnë edhe sipas kateve të pallatit, si dhe do të përcaktojë edhe administratorët e pallatit. Por më parë se ky akt të funksionojë (i bashkëpronësisë), duhet që të regjistrohet. Tarifa e administrimit për secilin banor ose bashkëpronar të pallatit përcaktohet bazuar në shpenzimet e administrimit dhe në kuotën e pjesëmarrjes në bashkëpronësi të pronarëve të njësive. Deri më sot, administrimi i pallateve ka funksionuar si një rregull pa bazë ligjore, por është miratuar nga të gjithë banorët. Ndërsa, pagesa mujore është kryer sipas dëshirës së qytetarëve. Po kështu, pastrimi i korridoreve apo pjesës së jashtme të pallateve është kryer nga pastrueset të cilat në një pjesë të madhe të rasteve nuk janë paguar nga banorët. Aktualisht gjithçka është vendosur në bazë të ligjit dhe do të funksionojë si një e drejtë dhe detyrim ligjor për të gjitha palët.
Detyra që kanë administratorët e pallateve
Administratorët e pallateve i kanë të përcaktuara detyrat e tyre, të cilët do të kontrollohen për punën e tyre. Përzgjedhja e tyre do të jetë kolektive, ku vetë banorët do të bien dakord. Ata do të kryejnë ato detyra që i janë dhënë me kontratë ose në marrëveshje me kryesinë, në varësi të formës së administrimit të zgjedhur. Administratori ose shoqëria administratore zbaton vendimet, përfshi edhe kontraktimin e subjekteve të treta. Po kështu, administratori merr veprime për të eliminuar dëmtimet e pronës së përbashkët, mbledh, faturon ose kontrollon derdhjen në llogari bankare të tarifave mujore, merr masa dhe veprime ligjore për rastet e mos kryerjes së tarifave mujore, mban buxhetin për mirëmbajtje dhe riparime, kontrollon kostot dhe pagesat e të gjitha faturave në emër të asamblesë. Ai mbikëqyret nga kryesia. Ndërsa formati i kontratës tip, që lidh asambleja me administratorin miratohet me udhëzim të MPPTT-së dhe Ministrisë së Drejtësisë. Pronari i apartamentit ka detyrim të respektojë normat e etikës dhe të bashkëjetesës të përcaktuara në Rregulloren e Administrimit të Ndërtesave. Ai duhet të mos pengojë bashkëpronarët e tjerë për të gëzuar objektet që janë në bashkëpronësi të detyrueshme. Pronari është i detyruar që të paguajë tarifën e administrimit pavarësisht nëse nuk banon apo e ka dhënë atë me qira. Pronari duhet të lejojë kryerjen e inspektimeve dhe riparimeve të pronës së përbashkët brenda njësisë në pronësi të tij. Njëkohësisht ka të drejtë të kërkojë nga bashkëpronarët e tjerë në bashkëpronësinë e detyrueshme ku bën pjesë, që të mos e cenojnë përdorimin dhe gëzimin e objekteve të pandashme si dhe dëmshpërblimin dhe ndreqjen e dëmit, kur ky i fundit ka rrjedhur nga veprimet e tyre. Gjithashtu ai ka të drejtë të marrë pjesë në vendimmarrje, të informohet nga asambleja ose administratori dhe shoqëria e administrimit për vendimet e marra nga asambleja. Njëkohësisht, ka të drejtë të informohet rregullisht nga administratori dhe nga mbledhjet vjetore të asamblesë për përdorimin e tarifës së administrimit apo të informohet nga administratori apo shoqëria e administrimit për mospagesën e tarifës së administrimit nga pronarët e tjerë.
3 Qershor 2009