Studimi, stresi sëmundja “moderne”, mjekët shqiptarë më të prekurit
Tiranë – Dhjetë për qind e mjekëve dhe mësuesve gjatë punës së tyre të përditshme përballen me një stres të lartë që ndikon në shëndetin e tyre mendor dhe fizik. Studimi më i fundit i Institutit të Shëndetit Publik tregon se stresi në punë është faktori kryesor që sjell pagjumësi, lodhje dhe jo rrallë shkakton kancerin dhe vetëvrasjet. Studimi i Institutit është shtrirë në gjithë vendin dhe janë pyetur 500 individë që i përkisnin fushës së arsimit dhe shëndetësisë. Të dhënat e studimit treguan se niveli i stresit në punë ishte më i lartë tek mjekët sesa tek mësuesit. Stresi është i lidhur me shumë gjendje serioze, si tensioni i lartë, karcime, dhe shumë probleme tjera. Stresi është njëri ndër faktorët kryesorë në shfaqjen e sëmundjeve të parodontit. Hulumtimet tregojnë se stresi mund të dobësojë organizmin në luftën kundër infeksioneve. Janë disa sëmundjet e shkaktuara nga veprimi i faktorëve stresues, duke filluar nga ulçerat e stomakut, sëmundjet nervore dhe deri tek kanceret. Graviteti i stresit dhe rrjedhimisht shkalla e veprimit të tij mbi organizmin varet nga rëndësia, zgjatja, shpeshtësia, shumëllojshmëria, shkalla e ndërlikimit të kërkesave që i parashtrohen njeriut, etj. Sa më i zgjatur në kohë të jetë stresi, aq më i rëndë ka të ngjarë të bëhet ndikimi i tij në shëndetin e njeriut. Veprimi i faktorëve stresues bëhet më i rëndë kur këta veprojnë në të njëjtën kohë dhe kur janë radhitur e ngjeshur njëri pas tjetrit. Situata të tilla prodhojnë ose shpërthejnë sëmundje të ndryshme, disa edhe të rënda. Jo të gjithë njerëzit reagojnë në të njëjtën masë ndaj stresit.
3 Qershor 2009