E Diel, 1 Nëntor 2026

Alban Ylli: “Sëmundjet kardiovaskulare shkaktarët kryesor të vdekshmërisë”



Emanuela Sako

Sëmundjet kronike zënë vendin e parë të sëmundshmërisë së popullsisë në të gjithë vendin. Specialistët e shëndetësisë bëjnë të ditur se vitet e fundit sëmundjet kronike kanë zënë një vend të favorshëm në popullsinë e vendit tonë. Drejtori i ISHP-së, Alban Ylli, në një konferencë për “Sëmundjet Kronike” është shprehur se shumica e popullsisë vuan nga këto sëmundje. Sipas tij, vendin e parë ndër sëmundjet kronike, janë sëmundjet kardiovaskulare, ku një në dy persona vuajnë nga këto sëmundje. Specialistët e Shëndetit Publik shprehen se sëmundjet kardio-vaskulare, kanceret e të tjera si këto kanë marrë mjaft jetë njerëzish në vendin tonë. Sipas tyre shtimi i këtyre sëmundjeve vjen si pasojë e rritjes së jetëgjatësisë së popullatës. Por pa përjashtuar ndryshimin e mënyrës së jetesës, ushqyerjes, stilit apo mungesës së jetës aktive.
Situata
Drejtori Alban Ylli, theksoi se ndonëse shifrat e sëmundjeve kronike janë të ngjashme me ato të vendeve të tjera, tashmë ka ardhur koha të përshtatim sistemin shëndetësor në mënyrë që të reagojë më mirë ndaj sëmundjeve dhe shëndetit publik. Në këtë mënyrë do të mundësohet që sëmundjet të kapen që në fazat e para për minimizimin e rasteve. Sipas tij, do të hartohen programe edukimi për të frenuar sjelljet e rrezikshme tek të rinjtë si duhanin, alkoolin, drogat, kequshqyerjen e të tjera.
Për realizimin e këtyre strategjive specialistët e Shëndetit Publik kërkojnë bashkëpunim me të gjitha strukturat përkatëse.
Ndërkohë që qytetarët janë të rrezikuar nga një numër i madh sëmundjesh, përveç sëmundjeve kardiovaskulare që zënë vendin e parë. Ndërsa vendin e dytë, e zënë të sëmurët që vuajnë nga hipertensioni, diabeti apo tumoret. Sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku kryesor i vdekjeve në Shqipëri. Rreth gjysma e vdekjeve të shqiptarëve çdo vit kanë në bazë një shkak të lidhur me sistemin e qarkullimit të gjakut. Të dhënat bëhen publike nga Ministria e Shëndetësisë, sipas së cilës, rreth 8 mijë persona në vit vdesin nga kjo sëmundje. Ndërsa rreth 700 mijë persona në vendin tonë vuajnë nga hipertensioni, duke e renditur këtë sëmundje ndër më shqetësueset. Sipas mjekëve specialistë, kjo shifër kap mbi 25-30 për qind të popullsisë. Kohët e fundit hipertensioni ka filluar të shfaqet edhe në moshat mbi 18 vjeç. Mjekët vlerësojnë se sëmundja e hipertensionit është një faktor shumë i rëndësishëm që shkakton sëmundje të zemrës, hemorragjitë cerebrale, dëmtime të veshkave. Ndërkohë që një vend të veçantë zë dhe sëmundja e diabetit, e cila prek rreth 35 për qind të shqiptarëve, duke vazhduar më pas me tumoret, që prekin një numër të madh personash, ku rreth 3500 vetë vdesin çdo vit.
Popullsia
Plakja e popullsisë në botë dhe në vendin tonë pothuajse ka të njëjtat arsye. Në vendin tonë, kjo tendencë është vënë re vetëm vitet e fundit, ose pas viteve 1990, kur filluan dhe ndryshimet e para në ekonomi, në stilin e jetesës, në planifikimin familjar etj. Kështu, një ndër arsyet është lëvizja e lirë dhe e pakontrolluar e popullsisë, ndryshimi i raportit të popullsisë qytetare ndaj asaj fshatare. Kryesore është edhe emigrimi, veçanërisht i djemve të rinj. Vështirësitë ekonomike dhe papunësia që përjeton vendi ynë bëjnë që çiftet e reja të mos kërkojnë të lindin më tepër se dy fëmijë, por edhe politika e lirë mbi abortin ka një ndikim mbi nivelin e lindshmërisë. Futja e mjeteve moderne të planifikimit familjar është një strategji e përdorur nga të gjitha gratë. Shqiptarët ende nuk janë futur në vendet problematike përsa i përket plakjes së popullsisë, por vitet e fundit vihet re një ulje e numrit të lindjeve në vend.

3 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›