E Diel, 1 Nëntor 2026

Administrimi i pyjeve penalizime nga pushteti qendror e vendor

Mjedisi

Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, u ka kërkuar dje të gjitha strukturave të pushtetit vendor që të merren me administrimin e sipërfaqeve pyjore. Gjatë një takimi me përfaqësues të bashkive e komunave, por edhe specialistë të mjedisit, Mediu tha se mbrojtja e pyjeve nuk është kompetencë vetëm e pushtetit qendror, por dhe atij vendor. Sipas tij, do të ndëshkohet jo vetëm çdo person që shkel ligjin duke shpërdoruar hapësirat e pyjeve, por edhe inspektorët të cilët i lejojnë këto abuzime.

“Gjithë kjo pasuri e madhe kombëtare është pasuri e shqiptarëve, nuk është thjesht pasuri e Ministrisë së Mjedisit. Ministria e Mjedisit i administron ato, por pushteti lokal, i cili është administrator i territorit, ka autoritetin e plotë edhe mbi pyjet shtetërorë, edhe mbi pyjet lokalë, për t’i vlerësuar ato si pjesë e tyre, për të ndërhyrë dhe për të ndaluar çdo lloj veprimtarie të paligjshme që ndodh në atë territor”, - sqaroi ministri i Mjedisit.

Sipas tij, miradministrimi dhe menaxhimi i kësaj pasurie kombëtare duhet konceptuar si një marrëdhënie e përbashkët.

Mediu theksoi se, gjatë këtij muaji do t’i kushtohet një rëndësi e veçantë nismave që duhet të ndërmerren në të ardhmen për shtimin e hapësirave të gjelbra në vend.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›