Ndalimi i gegerishtes
“Flitet shpesh për ndalimin e gegërishtes si një akt politik nga regjimi komunist. Kjo nuk përputhet me faktet. Partia Komuniste dhe regjimi komunist interesoheshin në radhë të parë për përhapjen e ideologjisë së tyre me çdo mjet të mundshëm. Ata nuk shqetësoheshin fort nëse krijoheshin vepra letrare a këngë në këtë ose atë të dialekt: mjaftonte që ato t’i thurnin lavde partisë dhe udhëheqësit të saj, t’i bënin jehonë asaj çka thoshte partia. Prandaj, janë të shumta veprat letrare dhe krijimet popullore edhe në dialektin e veriut. Ndërprerja e botimeve në gegërishte, te ne ndodhi pas Konsultës Gjuhësore që organizoi në prill të vitit 1968, Instituti Albanologjik i Prishtinës. Në këtë Konsultë u vendos njëzëri që në Kosovë, në Maqedoni, në Malin e Zi e në vise të tjera me popullsi shqiptare në Jugosllavi të përdorej gjuha letrare e Shqipërisë dhe drejtshkrimi i saj sipas parimit: "Një komb - një gjuhë letrare kombëtare". Pas kësaj, edhe në Shqipëri, pa ndonjë vendim administrativ, praktika e mëparshme e krijimit dhe botimit të letërsisë artistike dhe shkencore në gegërishte u vetëndërpre si një akt solidarizimi vullnetar me vendimin e Konsultës së Prishtinës. Përdorimi i një forme të njësuar të gjuhës dhe zbatimi sa më i përpiktë i normës letrare u ndien si detyrim qytetar i përgjithshëm”.