E Shtunë, 31 Tetor 2026

Familja reale apo e imagjinuar?

Nuk mund të them deri në fund se sa janë reale, të justifikuara apo të vërteta ankesat e shumta që dëgjojmë për natyrën, funksionimin dhe problemet e shumta me të cilat përballet sot familja shqiptare. Por një gjë është e vërtetë: si të gjithë institucionet në tranzicion apo në kapërcyell, edhe familja ka problemet e veta. Një pjesë të natyrshme dhe ca të tjera të mprehta dhe të agravuara keq. Por duke dashur të bëjë një analizë sociologjike se deri ku problemet që ndesh familja shqiptare janë të vërteta, esenciale dhe deri ku ato janë rezultat i perceptimit të deformuar të ndryshimeve që ajo ka pësuar, duke qenë më koherente me kërkesat e kohës dhe të shoqërisë në këtë etapë të modernitetit, më duket se një pjesë e problematikës është me natyrë kulturore, pasojë e mungesës për të kuptuar të vërtetën nga mirazhi social. Sipas mendimit tim, në të gjitha analizat, bisedat dhe testimet e bëra për këtë problem, më duket se krahas problemeve dhe shqetësimeve reale të familjes shqiptare, duket se ka një “ngërç konservator” që pengon perceptimin e drejtë të ndryshimeve që ka midis familjes reale, të vërtetë dhe koncepteve tradicionale të disa njerëzve që ende jetojnë me përfytyrimin e familjes së imagjinuar. Familja shqiptare e kohës sonë është një nga institucionet sociale, që besoj se, krahas martesës, ka shumë probleme brenda saj. Ajo është institucioni zyrtar dhe real bazë i jetës intime të njerëzve. Por familja shqiptare është duke ndryshuar. Ajo është bërë më moderne dhe për pasojë në kohën tonë, familja është bërë strukturë reale dhe jo institucion idilik, romantik, i qetë dhe i stabilizuar si në të kaluarën. Sepse duke vlerësuar situatën që zhvillohet me dinamikë të veçantë, duket se brenda saj gëlojnë konflikte të shumta dhe të shumëllojshme, midis çiftit martesor, se aty ka konflikte të ashpra dhe të zgjeruara midis brezave, ka nervozizëm të dukshëm në marrëdhëniet e prindërve me fëmijët e tyre, etj. Familja shqiptare ka probleme të thella të konfliktualitetit “gjinor dhe moshor” që shfaqen në marrëdhëniet konfliktuale midis djalit, nuses dhe vjehrrës, të cilat më parë në familjen tradicionale nuk kanë qenë në këtë formë, dhe as me këtë intensitet si tani. “Familja reale” shqiptare nuk është më ajo familja tradicionale, solidare, humane dhe pa “llogari financiare” të veçanta. Familja reale ka marrëdhënie të reja midis pjesëtarëve të saj. Ajo nuk është më familja me unitet, me kohezion të brendshëm të fortë, me “solidaritet në varfëri”.
Padyshim që, kur analizojmë strukturën, rolin dhe funksionet e “familjes tradicionale”, shumë njerëzve ajo u duket se ka qenë e përkryer, funksionuese, e stabilizuar dhe me moral. Ka ende shumë njerëz që kur duan të vënë në diskutim situatën e familjes shqiptare aktuale, e konsiderojnë familjen tradicionale si “familje engjëllore” e së kaluarës, e cila ka vlerat e saj pozitive. Por kjo nuk do të thotë se duhet të kemi nostalgji të verbër për të. Ca më pak të na shkojë mendja apo të mendojmë se çfarë duhet të bëjmë për “restaurimin e vlerave” të saj në familjen moderne të kohës sonë. Natyrisht kjo është antihistorike dhe e pamundur. Sepse, megjithëse në pamje të parë “familja engjëllore” tradicionale shqiptare ishte me strukturë dhe funksione në dukje më të konsoliduara se “familja reale” e kohës moderne, në thelb ajo ka qenë një strukturë sociale, e cila i varfëroi në ekstrem marrëdhëniet personale midis pjesëtarëve të familjes. Koha moderne është tjetër dhe tipi i familjes shqiptare që i duhet kohës dhe që duhet t’i përshtatet asaj është tjetër. Koha në të cilën jetojmë, ndryshimi i thellë i natyrës së njeriut dhe marrëdhënieve midis tyre, tregojnë se ajo nuk është më e përshtatshme për “familjen tradicionale” shqiptare të së kaluarës, që ishte tejet të socializuar në kohezionin e saj të brendshëm. Natyrisht, shumë ankesa shqetësime dhe keqkuptime për situatën e familjes shqiptare janë të lidhura me faktin e moskuptimit si duhet të së vërtetës, se është tjetër gjë “familja tradicionale” e së kaluarës dhe krejt tjetër “familja reale”, e cila është bërë formë sunduese në shoqërinë shqiptare të ditëve tona. Koha moderne nuk mund të bazohet më në tipin e vjetër të “familjes engjëllore”, sepse tashmë ka filluar të zhvillohet në stil të gjerë, madje mund të thuhet se po bëhet sunduese “familja reale”, e cila sipas sociologëve në ekzistencën, qëndrueshmërinë dhe funksionimin e saj, ka “dy shtylla” të rëndësishme ku mbështetet: lidhjen psikologjike e juridike, dhe një sistem rregullash dhe domosdoshmërish që vendosen midis pjesëtarëve të saj. “Familja reale” është një strukturë me relacione të reja, që janë adekuate me zgjerimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, jo vetëm në shoqëri, por edhe në gjirin e familjes. Familja reale nuk është më familje me strukturë, marrëdhënie dhe disiplinë patriarkale, nuk është strukturë sociale mekanikisht hierarkike, celulë e mbyllur, e izoluar nga zhvillimet e jetës. Përkundrazi, “familja reale” është strukturë dinamike e demokratike, që i përshtatet vetes dhe nivelit të zhvillimit të ndërgjegjes dhe perceptimit të “statusit qytetar” midis pjesëtarëve të saj. Por njëherësh ajo është dhe një strukturë me ndikim interaktiv në jetën dhe shoqërinë demokratike në përgjithësi.
Këto janë shkaqet që “familja reale” është bërë një strukturë dinamike e fleksibile, që është e detyruar të përshtatet me kohën dhe imperativat e jetës demokratike. Ndaj ndryshimet që kanë ndodhur dhe që do të vazhdojnë të ndodhin në familjen shqiptare, nuk duhet t’i shikojmë të gjitha me “sy të keq”. Përkundrazi, duhet të jemi koshientë, të pranojmë pa hezitim të vërtetën se në shoqërinë tonë, vendin e familjes tradicionale apo engjëllore të së kaluarës, me shumë shpejtësi po e zë “familja reale”, që është një strukturë adekuate e kohës moderne, që pavarësisht pengesave, vështirësive të disiplinimit funksionues, është në vendin e duhur, në raport të ekuilibruar me “veten” dhe detyrimin për të luajtur ato “role sociale”, që janë pjesë e përgjegjësisë dhe detyrave të natyrshme të familjes moderne.
Roli i “familjes reale” në ndërtimin e shoqërisë demokratike është padyshim një kontribut i jashtëm, me vlerë të madhe për konsolidimin e demokracisë sociale. Roli i saj është veçanërisht i rëndësishëm tani, sepse pavarësisht ndryshimeve të thella që po pëson familja shqiptare, ajo mbetet një strukturë e veçantë, e rëndësishme dhe e pamohueshme e “autoritetit social”. Kontributi konstruktiv i “familjes reale” në shoqërinë tonë është i veçantë tani, në kushtet kur strukturat e tjera sociale dhe kohezioni i tyre është dobësuar, sidomos në rrethanat aktuale kur disiplina sociale në shoqërinë shqiptare është dhe që në të ardhmen do të bëhet me siguri më e liberalizuar. Kjo do të thotë që duhet të mendojmë më shumë për rolin social të familjes shqiptare, që nuk duhet absolutisht ta neglizhojmë dhe ca më pak të nënvleftësojmë atë në rolin e saj për ndërtimin e demokracisë sonë. Sepse familja në njëfarë mënyre, është dhe do të mbesë pjesa më themelore e strukturës së shoqërisë shqiptare.
Në mendimin sociologjik modern ka shikime dhe vlerësime të reja në përputhje me kohën dhe imperativat e saj, lidhur me rolin dhe funksionet e “familjes reale” si formë dominante e familjes moderne. Ajo mbetet strukturë sociale e vlerësuar maksimalisht përveç të tjerash, edhe për faktin se ajo ka për detyrë të sigurojë diçka të rëndësishme, që ka të bëjë me misionin e veçantë të saj, që lidhet me “riprodhimin e rregullt” të shoqërisë dhe kulturës nga njëri brez në tjetrin. Por thelbësore për vlerësimin e rolit të “familjes reale”, mbetet misioni i veçantë për rritjen dhe kujdesin që duhet treguar për fëmijët, si kusht për “të garantuar zhvillimin e tyre moral dhe edukimin e tyre në kontekstin e përgjithshëm kulturor” të shoqërisë sonë. Këtë mision të veçantë të familjes e evidenton mjaft qartë dhe shumë saktë filozofi politik amerikan i shekullit të 20-të, John Rols, i cili thekson se roli i familjes moderne është “…rregullimi në mënyrë të arsyeshme dhe të efektshme i rritjes së fëmijëve dhe kujdesjes ndaj tyre, për të garantuar zhvillimin e tyre moral dhe edukimin e tyre në kontekstin e përgjithshëm kulturor”. (J. Rols “Drejtësia si paanshmëri”, faqe. 272)
Për të gjitha këto arsye dhe arsyetime, të duket se e kanë gabim ata njerëz, që për snobizëm dhe ekzibicion sociologjik apo për modë, flasin dhe shkruajnë kundër familjes dhe rolit të saj social, individual e konstruktiv. Nuk mund të pajtohemi me ata sociologë apo njerëz ordinerë, që me dashje apo nga paditura, neglizhojnë rolin e familjes, në emër të idesë utopike se në kushtet e shoqërisë moderne, “vlera e familjes zvogëlohet”. Koha po tregon të kundërtën e kësaj “profecie destruktive”, sepse në shoqërinë tonë roli dhe funksionet e familjes shqiptare jo vetëm që nuk mund të zbehen, por përkundrazi ato duhet të forcohen më shumë. Kjo është një detyrë e madhe sociale dhe politike.
Sepse shoqëria, derisa të ekzistojë si e tillë, nuk mund të bëjë pa rolin dhe funksionet e familjes, e cila është dhe do të mbesë sistemi kryesor i lidhjes dhe kooperimit social të njerëzve jo vetëm me “njëri-tjetrin”, por edhe me “të tjerët”. Sociologët, madje edhe ata më ultraliberalë, janë të mendimit se, që shoqëria moderne të ekzistojë në çdo kohë, do të ketë si nevojë të parë ekzistenciale rigjallërimin e “veprimtarisë së familjes”, në kuptimin më të gjerë dhe polivalent të termit. Sipas tyre, duke pranuar këtë të vërtetë, jemi të sigurt që kemi vlerësuar pa mëdyshje një nga rolet më të rëndësishëm të “familjes reale”, që është familja e që i nevojitet shoqërisë shqiptare, kohës moderne, të ardhmes së saj.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›