Basha: Komisariatet të jenë qendra pritjeje për qytetarët
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ka kërkuar nga Policia e Shtetit që të vazhdojë rikonceptimin e organizimin e punës, për të aplikuar strategjinë e policimit në komunitet. Ai ka folur gjatë Konferencës Kombëtare për Sigurinë në Komunitet, të zhvilluar ditën e djeshme. “Të rikonceptojmë të gjitha komisariatet e policisë anembanë vendit jo si pika mbledhjeje, reparte, qendra shpërndarjeje, por në radhë të parë si qendra pritjeje për qytetarët me të gjitha lehtësitë, ku qytetari të ndihet i mirëpritur nëse vjen për të denoncuar një shkelje apo për të paraqitur një problem”, - u shpreh Basha.
Për numrin një të Ministrisë së Brendshme, me rëndësi në këtë projekt është edhe bashkëpunimi i ngushtë i Policisë së Shtetit me shërbimet sociale, kërkimin e ndihmës së punonjësve socialë apo psikologëve për referimin sa më mirë të problemeve të paraqitura nga qytetarët. “Bashkëpunimi me shërbimet sociale i shërben rolit multidimensional që ka sot policia në demokracitë e Bashkimit Evropian”, - u shpreh ai. Sipas Bashës, përveç punës së përditshme të uniformave blu duhet rritur kontakti i përditshëm me shoqërinë, për ta bërë bashkëpunimin më të frytshëm. Gjithashtu punonjësit e policisë të konsiderojnë pjesë të pandarë të aktivitetit, kontaktin e organizuar me komunitetin, në shkolla në ambiente të tjera, kontakt i cili duhet të ketë në qendër qytetarin, shqetësimet dhe problemet specifike të tij. Ndërkohë që bashkëpunimi me pushtetin vendor, sipas ministrit, është parakusht për zhvillimin dhe forcimin e mëtejshëm të policimit në komunitet. “Duke ju përgëzuar për këtë praktikë të komunikimit dhe bashkëpunimit të shkëlqyer, dëshiroj të përsëris mesazhin tim se ky bashkëpunim duhet dhe do të vazhdojë në të gjitha drejtimet, pasi vetëm mbi këtë bashkëpunim mund të bazohet strategjia e policimit në komunitet dhe çdo strategji tjetër që ka për qëllim shtrirjen e rolit të Policisë së Shtetit për parandalimin e krimit dhe përmirësimin e sigurisë në ambientet, ku ajo vepron”, - deklaroi ministri Basha. I pranishëm në konferencë ishte edhe kreu i Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan, i cili në fjalën e tij e cilësoi me shumë rëndësi thellimin e bashkëpunimit mes policisë dhe autoriteteve të pushtetit vendor. Sipas tij, një nismë e tillë mbështetet edhe nga Komuniteti Evropian. “Dua që t’ju ftoj që të vendosni mbi çdo gjë tjetër sigurinë e komunitetit, ta vendosni këtë siguri mbi të gjitha debatet apo diskutimet politike që mund të keni në zonat e qeverisjes vendore”, - tha Lohan, duke shtuar “bashkëpunimi për të zgjidhur shqetësimet e përbashkëta ndihmon në arritjen e zgjidhjeve praktike, krijon një mjedis të sigurt për bizneset dhe ekonominë e vendit dhe në të njëjtën kohë realizon një zhvillim të mirë dhe harmonik i marrëdhënieve brenda zonave të veçanta të banimit”. Projekti për policimin në komunitet ka filluar që në vitin 2007 në vendin tonë dhe në bazë të projektit pritet të përfundojë në vitin 2013.