E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasojat e betejave me simbole

YLBER LILI

Siç ndodh rëndom në kohëra fushatash, kandidatët të ashtuquajtur kryetarë komunash janë hedhur në ofensivë për të rritur kreditet në elektorat. Ata kanë angazhuar ekipe speciale gjithëpërfshirëse për të rrokur sa më shumë votues. Ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme, kryesisht dy kandidatët që garojnë për Tiranën i kanë dhënë përparësi gjuhës së komunikimit dhe imazhit si dy modele, sipas tyre, eficiente, ndonëse në disa raste bëhen të mërzitshme. Bie fjala, shfrytëzim maksimal i mediave, sidomos atyre elektronike, rekrutime personazhesh publikë, sondazhe dhe komunikim sy më sy e derë më derë, rishtakë entuziaste, të cilëve iu është besuar pyetësori, por që u mungon përvoja, plus komunikimi përmes simboleve që e kanë djallosur fushatën; pikërisht këtu qëndron problemi më i madh i kësaj fushate.
Këto dhe elemente të tjera, siç është komunikimi virtual, janë modelet që na ofrojnë kandidatët të ashtuquajtur kryetarë, ngaqë në fakt ata duhet të emërtohen menaxhues të pushtetit lokal. Gjithsesi, duke u ndalur te strategjia e komunikimit, nëse i analizojmë veç e veç kandidatët, Basha duket se është në përparësi. Kandidati i maxhorancës po rreket të krijojë profilin e një njeriu që kërkon të tejkalojë modelin e vjetër, atë të konfliktualitetit politik, sharjeve, fyerjeve, apo baltosjes së kundërshtarit. Ai, në dukje, ka preferuar modelin e një fushate, e cila mënjanon debatet shterpe, retorikën konfliktuale
Nga ana tjetër shohim liderin e Partisë Socialiste, i cili ende nuk e ka kopsitur si duhet strategjinë e veprimit në fushatë. Z. Rama më shumë po zhvillon beteja propagandistike të tipit: kundërshtari është i keq, ndërsa unë i mirë. Bie fjala, loja me spote klonuese, apo replikat dhëmbë për dhëmbë përmes makinerisë së zëdhënësve ditorë e bëjnë fushatën e kryesocialistit konfuze. Jo vetëm kaq. Në këtë fushatë, kryesocialisti, njëherësh dhe kandidati për menaxhimin e kryeqytetit, ka rënë në kurthin e retorikës së dikurshme të Berishës.
Lideri i PS-së e ka drejtuar grykën e topit ndaj kundërshtarit e tij politik duke fragmentarizuar qëllimin e këtyre zgjedhjeve. Pikërisht këtu qëndron konfuzioni, ngase kjo fushatë është ekskluzivisht për zgjedhjet lokale, dhe jo ato parlamentare. Edhe nëse marrim në konsideratë cinizmin e socialistëve se kandidati i tyre nuk ka kundërshtar, e vërteta është se në këtë vend fushata ka prefiksin e zgjedhjeve për pushtet lokal.
Tendenca për të devijuar nga objekti, sipas të gjitha gjasave, i përket pozicionit të liderit të PS-së, i cili me një këmbë qëndron në Bashki dhe me këmbën tjetër në parti. Me gjithë diferencën se si ata rrezatojnë në këtë fushatë, të dy kandidatët kanë një emërues të përbashkët. Ata ende nuk e kanë treguar fytyrën e vërtetë të ofertës, apo platformave konkrete. Asnjëri nuk ka arritur deri më tani që në mënyrë bindëse të ofrojë një model qeverisjeje praktikisht të realizueshëm. Në këtë pikë ata duhet të bëjnë kujdes ngaqë elektorati nuk është naiv sa të besojë të parealizueshmen, si të thuash do të hanë me lugë floriri.
Gjithsesi, pa dashur ti paragjykojmë për vizionin e tyre ngaqë ende loja është e hapur, çështja që kërkon vëmendje ka të bëjë me ruajtjen e stabilitetit të përgjithshëm dhe të kohezionit brenda komunitetit. Incidentet e njëpasnjëshme ende pa u përhapur në maksimum flaka e fushatës duhet parë, analizuar me prioritet jo thjesht nga kandidatët në garë, por edhe prej partive që ata përfaqësojnë dhe kryesojnë.
Çështë e vërteta, nishanet nuk janë pozitive: provokimet dhe incidentet janë indikatorë që rrezikojnë seriozisht mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, sikundër dëmtojnë rëndë imazhin e Shqipërisë. Në këto kushte, paraqitjet pompoze të kandidatëve, të tipit gju më gju me popullin, është kopertina e kësaj gare elektorale ngaqë përmbajtja dëshmon se fushata mund të degjenerojë nëse nuk i paraprihet fenomenit. Deri tani, i vetmi zë dhe mesazh për maturi dhe qetësi vjen nga kreu i maxhorancës, z. Berisha, paçka se është shumë pak për të neutralizuar aktet e dhunshme dhe incidentet në fushatë. Në këtë kontekst, e gjithë klasa politike duhet të japë mesazhe tolerance, qoftë edhe duke këshilluar shtabet elektorale që të evitojnë përplasjet që vijnë si rrjedhojë e  elementeve propaganduese, siç janë, flamujt, simbolet partiake, posterat etj.
Ndonëse komunikimi përmes simboleve në rrethana dhe kushte të tjera është strategji efikase, në rastin e këtyre zgjedhjeve po prodhon kundërefekt. E thënë troç, Shqipëria dhe shqiptarët nuk e meritojnë që në vitin 2011 të shqyhen, rrihen, plagosen e gjakosen për simbole partiake, sikundër është jashtë çdo logjike normale çdo tentative për të shantazhuar apo frikësuar kundërshtarët përmes akteve të dhunës ku nuk mungon tritoli. Ky është problemi dhe shqetësimi  kryesor që mbartin këto zgjedhje.
Është e çuditshme se si politika e ka marrë me kaq sportivitet një situatë të tillë. Ky lloj pozicionimi i klasës politike ka vetëm një shpjegim: sipas të gjitha gjasave, po luhet loja e viktimës dhe agresorit, duke mos u merakosur fare për pasojat. Vazhdoj të këmbëngul te pasojat ngaqë përvojat në hapësirat e tjera shqiptare na rikujtojnë incidente të llahtarshme, shkaktare të të cilave ishin edhe betejat me simbole partiake. Për shembull, qysh nga viti 2002, në Maqedoninë perëndimore, fushatat elektorale janë karakterizuar me akte dhune që fillin e kishin në Tetovë dhe si vullkan përhapej në të gjitha zonat elektorale.  Sdo mend që në kushte të tilla incidentet bëhen të pamenaxhueshme dhe pasojat ishin gati-gati vëllavrasëse. Ndonëse me shumë vonesë, gjithsesi, klasa politike shqiptare, në zgjedhjet e fundit parlamentare bëri një pakt duke mënjanuar betejat përmes simboleve partiake. Me gjithë pritshmërinë e opinionit publik për qetësi dhe stabilitet zgjedhor, të paktën u evituan gjakosjet mes militantëve për flamuj dhe simbole partiake.
Si përfundim, nuk është e tepërt të thuhet që dy kandidatët për Bashkinë e Tiranës, por edhe kandidatët e tjerë, duhet ti mundin inatet dhe të bëjnë një pakt, i cili ka më shumë vlerë sesa fitorja për interesa partiake, apo individuale. Pakti, në thelb, është marrëveshje që duhet të konkludohet me një vendim dhe mesazh të përbashkët drejtuar elektoratit. Stop dhunës! Interesat dhe imazhi i vendit janë shumëfish më të rëndësishme sesa interesat vetjake apo partiake.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›