E Diel, 1 Nëntor 2026

Admir Teli firmos në Azerbajxhan Mbrojtësi i kombëtares do të gjejë në këtë ekip dy ish futbollistët e Besës, Zekerija Ramadani dhe Artim Shaqiri

Jorgis MEMO (Sporti Shqiptar) - Nuk është as Rijeka, as Vllaznia, por një klub që pak kush e priste. Ekipi azerbajxhanas, Karabak, është zyrtarisht destinacioni i mbrojtësit të kombëtares, Admir Teli. Lajmin e orës së vonë e bëri të ditur, ekskluzivisht për "Sportin shqiptar", vetë futbollisti shkodran. Nëpërmjet linjës telefonike nga Antalia, ku ekipi i Karabakut po kryen fazën përgatitore, Teli u shpreh: "Sapo kam mbyllur gjithçka me ekipin azerbajxhanas Karabak. Këtu do të luaj për 6 muaj. Unë jam i kënaqur nga oferta. Drejtuesit e Karabakut shprehën dëshirën për të blerë kartonin, por gjithçka tani është në dorën time. Fillimisht, kam qejf të shoh një herë këtë vend, që për mua është një eksperiencë e re. Pas katër muajve do të flasim më konkretisht, nëse mund të bashkëpunojmë përsëri".

Karabaku renditet në vendin e shtatë të kampionatit azerbajxhanas, ndërkohë që e veçanta është se mbrojtësi i kombëtares do të gjejë aty dy ish-futbollistët e Besës, Zekerija Ramadani dhe Artim Shaqiri. Duke mos dashur të hapë polemika për atë çfarë është folur në shtyp kohët e fundit, Teli sqaron edhe pse nuk kaloi te Vllaznia apo Rijeka.

"Në momentet e fundit, klubi im (Haxhetepe), me të cilin kam akoma dhe dy vite kontratë, më ofroi Karabakun. Drejtuesit e Haxhetepes kërkuan me çdo kusht të më huazojnë këtu, duke ditur që dy presidentët janë shumë shokë dhe kanë biznese bashkë. Ç'është e vërteta, edhe unë jam shumë i kënaqur me anën financiare. Por ajo që më vjen më shumë keq, është se në një farë mënyre i dola nga fjala Rijekës dhe menaxherit Adrian Aliaj. Por të jem i sinqertë, gjithçka është bërë nga klubi im në Turqi, pra unë isha i detyruar në një farë mënyre, sepse edhe ata këmbëngulën shumë. Nuk dua ta mohoj që dëshira ime ka qenë që të kaloj te Vllaznia, por menaxheri Adrian Aliaj ka kontaktuar me Rijeken dhe më bëri një ofertë shumë të mirë. Me ekipin kroat kam qenë pranë firmosjes së një kontrate që në verën e vitit të kaluar, përpara se unë të vija në Turqi te Haxhetepe. Pothuajse gjithçka u mbyll, por telefonata nga Turqia më bëri lojtar të Karabakut,"- tregon Teli, i cili nuk është i pari shkodran që do të luajë në kampionatin azer. Pak vite më parë, Suad Lici ka luajtur me Bakunë.  

E Shtune, 17 Janar 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›