Admir Teli nënshkruan me Alkin në Qipro

Futbollisti shkodran Admir Teli është lojtari i dytë shqiptar që nënshkruan për skuadrën qipriote Alki Larnaka, pas ish-portierit të Tiranës, Isli Hidi. "Teli nënshkroi një kontratë dyvjecare me Alkin", - tha menaxheri shqiptar i FIFA-s, Sokol Haxhiaj. "Lojtari do të përfitojë 200 mijë euro neto, si dhe do të ketë një makinë në përdorim nga klubi". Teli më parë ka lujtur me Vllazninë, si dhe ka qenë thirrur në disa grumbullime të Kombëtares shqiptare.
KOLONI SHQIPTARE
Teli është futbollisti i pestë shqiptar që do të luajë këtë sezon në Superligën qipriote. Te kampionia e Qipros, Anorthosis Famaguasta, aktivizohet prej disa vitesh portieri i Kombëtares shqiptare, kosovari Arjan Beqaj. Mesfushori i majtë Altin Haxhi mbron qysh nga viti i kaluar ngjyrat e Ael Limasolit, ndërkohë që në merkaton e kësaj vere (po me ndihmën e menaxherit Haxhiaj), nënshkruan dy futbollistët e tjerë të Kombëtares, mesfushori Klodian Duro (Omonia) e portieri Isli Hidi (Alki).
FLUKS TRANSFERIMESH
Sokol Haxhiaj është një menaxher i sukseshëm në transferimin e futbollistëve shqiptare në kampionatet e huaja. Katër janë transferimet e tij gjatë kësaj merkatoje, ku pa dyshim kulmin e shënon fantazisti Jahmir Hyka, i cili u transferua në Bundesligën 2 te Mainc 05 në shumën prej 3.7 milionë eurosh. Më ndihmën e Haxhiajt, Duro, Hidi e Teli u transferuan në Qipro.
MERKATO NDËRKOMBËTARE
Agjenti i njohur Rudi Vata, i cila ka krijaur edhe agjencinë e tij "Vata Vision Football Management" kreu dy transferime në Bullgari në muajin shkurt të këtij viti: Klodian Semina u ble nga Belasica Petric dhe Enco Malindi nga Slavia e Sofjes. Para pak ditësh edhe Ditmar Bicaj është në provë te Belasica, ndërkohë që sulmuesi i talentuar Xhevair Sukaj mund të provohet shumë shpejt te TSV Koblenz (Bundesliga 2) në Gjermani
HARTA E TRANSFERIMEVE
Nësë në fillimet e viteve 1990, futbollistët e njohur shqiptarë kishin mundësi të luanin vetëm në vendet fqinjë si në: Greqi (Foto Strakosha, Genc Tomori, Lefter Millo, Ledio Pano, Arjan Beqaj, Altin Haxhi, Igli Tare, Arjan Bellaj, Arjan Xhumba, Alban Bushi, etj.), apo në Rumani (Perlat Musta, Agim Canaj, Sulejman Demollari, Ilir Bozhiqi) e Slloveni (Kliton Bozgo), Kroaci (Redi Jupi, Vioresin Sinani, Erion Bogdani), tani harta e transferimeve shqiptare ka prekur edhe Ceceninë e largët, ku te Terek Grozni aktivizohet Ilion Lika, ndërsa në Kinën akoma dhe më të largët agjenti Florian Riza coi një nga simbolet e futbollit shqiptar, mbrojtësin Nevil Dede. Menaxheri Alfred Bode realizoi transferimin e mbrojtësit Renato Arapi te Silkenborg në Danimarkë, ndërsa Gëzim Mance të sulmuesit Sabino Plaku te Hamkam në Norvegji. Në Suedi luan sulmuesi Migen Memelli, duke mos përmendur Gjermaninë ku luajnë prej vitesh Ervin Skela, Altin Lala, Edmond Kapllani, Fatmir Vata, Skerdidaljd Curri.
12 AGJENTË TË FIFA-s
Edhe në Shqipëri agjencitë menaxheriale të futbollit tashmë kanë krijuar profilin e tyre, kjo edhe për faktin e thjeshtë se Shqipëria numëron 12 agjentë lojtarësh të licencuar nga FIFA: Rudi Vata, Sokol Haxhiaj, Sokol Murati, Alfred Bode, Gëzim Mance, Lulëzim Haxhiaj, Sokol Pelingu, Xhelil Musa, Florian Riza, Arben Rakipi, Lirim Zalla e Neat Dauti. Këtyre shumë shpejt mund t'u shtohen edhe Shkëlqim Muca e Mario Cenolli.