E Diel, 1 Nëntor 2026

Adoleshentët plagosin me 8 thika 20- vjeçarin

Elbasan, sherri banal për pak sa nuk i ka kushtuar jetën shoferit të një firme private. Arrestohen 3 nga autorët

ELBASAN- Një sherr banal me katër adoleshentë për pak sa nuk i ka kushtuar jetën shoferit të një firme private në qytetin e Elbasanit. Ngjarja ndodhi në qendër të qytetit, në afërsi të Bustit të Kristoforidhit kur katër adoleshentë, pas një grindjeje të momentit, kanë sulmuar me thika 20- vjeçarin Resmi Fetahu. Burimet e policisë pohuan dje se i dëmtuari ka marrë tetë goditje thikash në pjesë të ndryshme të trupit. Menjëherë i plagosuri është transportuar në spitalin kirurgjik të Elbasanit. Skena është parë nga qytetarët të cilët vazhdonin shëtitjen gjatë orëve të vona të mbrëmjes. Ata janë tmerruar nga masakrimi që i është bërë 20- vjetarit dhe sasia e madhe e gjakut që ai ka humbur. Vetëm pak minuta më pas, në vendin e ngjarjes ka mbërritur policia lokale, e cila ka marrë në pyetje dëshmitarët okularë. Sipas burimeve spitalore, gjendja e të riut është mjaft e rëndë. Ndërkohë pak orë më vonë policia ka arritur të identifikojë dhe të kapë tre nga katër adoleshentët që sulmuan 20- vjeçarin me thikë. Sipas burimeve nga Komisariati i Elbasanit, shkaku ka qenë banal ndërsa emrat e adoleshentëve nuk bëhen të ditur për shkak se janë të mitur. Vazhdojnë ende kërkimet për të kapur autorin e katërt të ngjarjes. Ata do të akuzohen për vrasje të mbetur në tentativë dhe dosja do t’i përcillet gjykatës për të miturit në Durrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›