Mustafa: Kosova të bëjë projekte për të thithur fondet
Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan, kulmin e veprimtarisë së vet e arriti gjatë konfliktit në Kosovë. Por që nga ajo kohë kanë ndodhur shumë zhvillime në rajonet shqiptare, për të cilat kjo organizatë lobon në Washington. Si i sheh kjo organizatë zhvillimet në Ballkan? Cili do të jetë roli i saj në këtë realitet të ri?
Një nga përfaqësuesit e KKSHA, Avni Mustafa flet për situatën e krijuar në rajon duke analizuar një nga një vendet. “Përgjithësisht për sa i përket Kosovës, shqetësimi ynë më i madh është procesi i rikonfigurimit i cili padyshim duhet të shpejtohet. Transferimi i kompetencave nga UNMIKU tek EULEX-i dhe qeverisja e Kosovës duhet të bëhet më shpejt. Mund të them se ka një pakënaqësi rreth ngadalësimit të këtij procesi jo vetëm te qeveria e Kosovës por edhe në qeverinë e Shteteve të Bashkuara. Kosova duhet tani të përqendrohet në dy çështje. Së pari duhet të përqendrohen në procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga sa më shumë vende. Dhe së dyti, tani që në Konferencën e donatorëve u premtuan rreth 1,8 miliard dollarë për Kosovën kjo është shumë e rëndësishme sepse këto fonde duhet të absorbohen sa më shpejtë në përgatitjen e infrastrukturës, gjë që do të mundësonte një zhvillim ekonomik si dhe t’u mundësojë investitorëve të huaj që të investojnë atje”,- tha Mustafa. Sipas tij, për sa i përket Maqedonisë, atje ka pasur një situatë të vështirë në zgjedhjet e fundit dhe tani është formuar qeveria e re. Më e rëndësishmja tani atje është që Marrëveshja e Ohrit të kthehet sërish në rrugën e saj. “Mendoj se atje politika ka qenë shumë më e rëndësishme se qeverisja dhe kjo duhet të ndryshojë. Mendoj se udhëheqësit e Maqedonisë më tepër duhet të përqendrohen në qeverisjen e vendit se sa të luajnë lojëra politike. Në lidhje me Malin e Zi mendoj se shqiptarët atje vazhdojnë të jenë shumë të ndarë. Partitë politike nuk pajtohen për asgjë. Ata duhet të punojnë me qeverinë për të mundësuar që shqiptarët në Mal të Zi të kenë qasje në mundësitë ekonomike, përfaqësimin në qeveri, etj. dhe në këtë drejtim mendoj se udhëheqësit politikë do të mund të ishin shumë më të efektshëm nëse arrijnë ta gjejnë një mënyrë për të lënë anash inatet personale ndërmjet tyre dhe të përqendrohen më tepër se si të ecin përpara jo vetëm ata por edhe populli”,- pohoi Mustafa.