Petriç: Kosova duhet të ruajë kufijtë e saj aktualë
Ish i dërguari i posaçëm i BE-së për Kosovën, ambasadori Wolfgang Petriç, i tha BBC-së se një ndarje që do të krijonte një entitet me status special do të mund të ishte një zgjidhje kalimtare për veriun e Kosovës.
Ai tha se modeli i Bërçkos në Bosnjë e Hercegovinë do të mund të ishte i aplikueshëm edhe për qytetin e Mitrovicës. Mirëpo zoti Petriç tha se Kosova duhet të ruhet në kufijtë e saj aktualë. Wolfgang Petriç, që ka shërbyer si ambasador i Austrisë në OKB në Gjenevë, ka mbështetur bisedimet e drejtpërdrejta mes Prishtinës dhe Beogradit dhe ka shtuar se duhet të gjendet një zgjidhje politike për Kosovën, bazuar në kornizat e planit Ahtisaari. Ai tha se duhet kërkuar një rol të modifikuar për policët serbë të SHPK-së, të cilët do të duhej të ishin nën mbikëqyrjen e misionit evropian për drejtësi dhe polici, EULEX. “Dyshoj se pas kësaj marrëveshjeje të kaluar për planin Ahtisaari do të ketë një tjetër rast për të hapur të gjitha çështjet, ato themelore. Por unë favorizoj shumë çfarëdo dialogu të propozuar të bazuar mbi marrëveshjen, këtu nënkuptoj në planin Ahtisaari”,- pohoi ai.
Pra ju nuk parashihni që kur të fillojë, dhe nëse fillon, ndonjë dialog, plani Ahtisaari të jetë sërish në tavolinë?
Jo në tërësinë e tij, përfundimisht jo. Nëse ka vend për të bërë përmirësime - dhe kjo është natyra e cilitdo plan, dhe merreni marrëveshjen e Dayton-it, që unë është dashur ta zbatoj - është e qartë se duhet të ketë fleksibilitet. Por kjo duhet të bëhet mbi planin e parë, për të cilin është rënë dakord.
Por, a nuk shohim se të gjitha zhvillimet në Kosovë dhe rreth saj, po i shmangen pak planit Ahtisaari?
Unë e shoh këtë si kërkim të rrugëdaljes nga impasi, meqë nuk kishte një marrëveshje në kornizat e OKB-së, dhe nuk kishte një mbështetje të plotë nga të 27 vendet anëtare të BE-së. Kjo është një lëvizje legjitime për të parë se çka duhet bërë. Por ne kemi ecur përpara tashmë. Ne kemi planin Ahtisaari, i cili është negociuar për një periudhë të gjatë. Ky është maksimumi që mund të arrihet, por tani duhet të gjejmë një zgjidhje politike, një marrëveshje dhe një kompromis dhe nga ana tjetër, nëse ka ndonjë mundësi për të arritur përmirësime teknike, jashtë ndryshimeve në terren, atëherë besoj se kjo do të duhej të mbështetej fuqishëm në kërkim të një zgjidhjeje të përgjithshme.
Kur flisni për çështjen politike, çka më konkretisht mendoni me këtë? Çfarë duhet që Prishtina dhe Beogradi të arrijnë në nivelin politik?
Mendoj se do të duhej, por faktori kohë është shumë i rëndësishëm dhe unë nuk jam i padurueshëm, por në fund duhet të ketë një dialog të drejtpërdrejt ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe ky do të duhej të ishte qëllim përfundimtar. Në rrugë e sipër të këtij dialogu unë shoh çdo lloj mundësish përmes ndërmjetësimeve.
Atje ndodhet misioni i OKB-së, gjithashtu edhe i BE-së, pastaj OSBE-ja, pra ka aq shumë institucione tashmë, që do të kenë një të drejtë legjitime që të ndërmjetësojnë dhe të gjejnë një zgjidhje të identifikuar.
Pra edhe përkundër asaj që institucionet e Kosovës kanë shpallur pavarësinë?
Përfundimisht është një fakt i ri në terren që duhet të pranohet dhe nuk mund të injorohet. Ajo nuk do të pranohet formalisht menjëherë nga Beogradi, por mendoj se futja e më shumë realiteti në gjendjen e krijuar do të ishte e dobishme. Në këtë rrafsh unë po mendoj konfliktin e Lindjes së Mesme, ku kemi patur një kërkim të gjatë për nje qasje më pragmatike, që është gjetur ndërmjet Tel Avivit dhe OÇP-së së palestinezëve. Prandaj, mendoj se në këtë rrafsh ne duhet të jemi të durueshëm dhe të provojmë të mbështesim çfarëdo nisme të tillë, por duhet të ketë një kornizë të qartë. E kjo kornizë e qartë është plani Ahtisaari.
A është Kosova e pavarur?
Unë do të thosha se e ka shpallur në mënyrë të njëanshme pavarësinë, megjithatë në këtë rrafsh është e pavarur dhe ky është vullneti i popullit. Por, sipas ligjit ndërkombëtar, është e qartë se anëtarësimi në OKB do të ishte shumë i rëndësishëm dhe me gjasë një mjet shumë i domosdoshëm në rrugën drejt pavarësisë. Pavarësia nuk është vetëm formalitet, ajo nënkupton gjithashtu edhe pavarësinë nga ndihmat e të tjerëve. Kështu nuk do të jetë për një kohë atje. OKB-ja dhe në veçanti BE-ja duhet të luajnë një rol dhe gjithashtu unë besoj se autoritetet e Kosovës duhet të bëjnë më shumë për të promovuar zhvillimin ekonomik dhe në këtë mënyrë të rrisin statusin e tyre të pavarur.
Ambasador Petriç, t'i kthehemi edhe njëherë çështjeve që sipas planit të Ban Ki Moon, duhet të diskutohen. Kemi parë se policët serbë në Kosovë kanë refuzuar që t'i respektojnë urdhrat e komandës së SHPK-së. Policia e UNMIK-ut po i jep më shumë përgjegjësi SHPK-së. Si të zgjidhet ky problem?
Në atë mënyrë si e thashë më herët, që parimi i zinxhirit komandues duhet të ruhet dhe nuk mund të përjashtohet, sepse është pjesë e qartë e planit. Por në anën tjetër ka zgjidhje pragmatike dhe këtu duhet të bazohemi në situatat e tjera të ngjashme në rajone të tjera, se si ta zgjidhim çështjen e sigurisë së serbëve në Kosovë në mënyrë të barabartë. Dhe këtu duhet kërkuar një rol i modifikuar i policëve serbë të SHPK-së. Por, sërish po e them se zinxhiri komandues duhet të mbetet ashtu siç është.
Pra, kjo nënkupton se pjesa serbe e SHPK-së duhet të jetë e vëzhguar nga faktori ndërkombëtar. Nga kush pra, UNMIK-u apo EULEX-i?
Mendoj se UNMIK-u nuk do të ishte një ide e mirë. Ndoshta evropianët, EULEX-i, në këtë rrafsh do të ishte një zgjidhje më e mirë, në një afat të gjatë. Unë e shoh ndoshta UNMIK-un të jetë një lehtësues i dobishëm, por në një afat të gjatë, nëse Kosova do që të jetë pjesë e BE-së dhe familjes evropiane, mendoj se BE-ja mund të ofrojë një ndihmë afatgjate më të mirë.
Kur flasim për rikonfigurimin e misionit të OKB-së në Kosovë, duket sikur ka ngecje. A mundet Kosova të funksionojë vetë me UNMIK-un në shpinë?
Kjo është një çështje shumë e ndjeshme. Kjo varet shumë nga autoritetet e Kosovës, nga fleksibiliteti i tyre, dhe ndjeshmëria e tyre si të merren me këtë çështje dhe gjithashtu edhe nga udhëheqja e UNMIK-ut në terren, që të përcaktojë “modus vikendin” dhe kjo është shumë e domosdoshme për shkak të moszgjidhjes së situatës politike në KS të OKB-së.