Fshatrat e Shkodrës, ende pa energji elektrike
SHKODËR- Ndonëse janë marrë masa dhe po punohet për riparimin e defekteve në nënstacionin elektrik të Rrencit, banorët e fshatrave Guri Zi, Bardhaj, Rrenc e Juban vazhdojnë të mbeten pa energji elektrike. Drejtoria e tensionit të lartë në Burrel ka marrë të gjitha masat për rehabilitimin e pjesëve të këtij nënstacioni që të shtunën u përfshinë nga flakët. Sipas drejtorit të drejtorisë së tensionit të lartë në Burrel, Hajdar Kurti dhe përgjegjësit të sektorit të tensionit të lartë në Shkodër, Shkëlzen Mani, ka nisur menjëherë heqja e pajisjeve të djegura nga flaket dhe zëvendësimi i tyre me pajisje të reja. Sipas tyre, zjarri ka rënë si pasojë e një shkëndije elektrike në degëzimin e linjës 119, me shtyllën dy fazore të këtij nënstacioni,e cila ka shkaktuar dhe djegien çelësave tek kabina. Nuk bëhet e ditur vlera reale e dëmit të shkaktuar ngazjarri i rënë në nënstacionin elektrik të Rrencit në Shkodër.
------------------------------------Shkodër
Nis rikonstruksioni i aksit Han i Hotit- Vermosh
SHKODËR- Aksi rrugor Han i Hotit- Vermosh pritet të rikonstruktohet së shpejti. Këtë e ka pohuar kryetari i komunës Këlmend Ndue Lelçaj, i cili ka theksuar se brenda një muaji pritet të fillojnë punimet për rregullimin e këtij aksi rrugor rreth 70 km i gjatë. Kjo do të bëjë të mundurdhe lidhjen me rrugë dhe funksionimin normal të dy pikave të kalimit kufitar të Shqipërisë me Malin e Zi, atë të Hanit të Hotit dhe Gërçarit në Vermosh. Ky aks rrugor është tepër i ngushtë dhe i rrezikshëm dhe veçanërisht pas Tamarës, qendrës së komunës së Këlmendit ku rruga thuajse është e pakalueshme. Rrëshqitjet e shumta të dherave, gërryerjet nga përrenjtë malorë dhe ngricat gjatë dimrit e bëjnë këtë aks rrugor të pakalueshëm. Sipas Lelçajt, ky aks do të jetë tetë metër i gjerë, ku 6.5 m do të jenë asfalt dhe pritet që koha e udhëtimit nga pesë orë do të shkurtohet në rreth dy orë.