Mijëra emigrantë presion me orë të tëra në diell
KAKAVIJË- Sikur të mos mjaftonin temperaturat e larta të këtyre ditëve, emigrantët shqiptarë që vijnë nga Greqia nëpërmjet Kakavijës janë detyruar sërish që të presin për orë të tëra në radhë. Qindra automjete e mijëra emigrantë janë detyruar që të qëndrojnë nën diellin e nxehtë në anën greke, duke pritur që t’u vijë radha për të kaluar kufirin. Burime zyrtare nga ky vendkalim kufitar kanë bërë të ditur se situata ka qenë pothuajse e pandryshueshme, si përgjatë orëve të para të së dielës, ashtu edhe gjatë gjithë ditës, ku radha e pritjes së automjeteve në territorin grek ka qenë katër kilometër e gjatë.
E teksa pritej që fluksi i lëvizjeve të emigrantëve edhe gjatë ditës së djeshme të ishte i konsiderueshëm, sërish pala greke ka punuar me vetëm katër sportele, duke bërë që të krijoheshin radhë mjaft të gjata, të cilat janë eliminuar vetëm në orët e vona të pasdites. Kështu, mësohet se përgjatë 24 orëve të fundit. të kenë hyrë në Shqipëri rreth 12 mijë emigrantë, me rreth 3500 mijë automjete si dhe rreth 70 autobusë. Megjithëse prej autoriteteve kufitare një gjendje e tillë cilësohet normale, pasi edhe fluksi i lëvizjeve është mjaft i madh, nuk kanë qenë të këtij mendimi emigrantët, një pjesë e mirë e të cilëve janë duke pritur prej shumë orësh, në një ditë me temperatura të larta e ku nuk mungojnë të moshuarit dhe fëmijët. Ndërkaq, janë të vazhdueshme takimet dypalëshe, ndërmjet uniformave blu të palës shqiptare me homologëve grekë për të bërë të mundur normalizimin e situatës, por që gjatë dy ditëve të fundit nuk e kanë arritur aspak qëllimin e tyre.