E Diel, 1 Nëntor 2026

Adoleshenti "i zhdukur" kryen grabitje me armë

Një adoleshent që ishte deklaruar i humbur nga familja, ka tentuar të kryejë një vjedhje me armë të dielën në mbrëmje. L.Krasniqi, 15 vjeç, i cili për policinë figuronte i humbur që nga 14 nëntori, është shpallur tashmë në kërkim për një vepër të rëndë penale: grabitje me armë, e mbetur në tentativë. Adoleshenti nga fshati Kotë i Vlorës dyshohet se është autori i një tentative vjedhjeje në fshatin Hysoverdhë të Rrethit të Vlorës. Sipas policisë, ai mund të jetë personi që të dielën në mbrëmje, rreth orës 20:00, ka kërcënuar me armë shtetasen me iniciale A.K., të cilës i ka shkuar në banesë dhe i ka kërkuar para. Vetë gruaja, e cila ka bërë rezistencë ndaj grabitësit, i tha policisë se agresori ishte pikërisht adoleshenti L.Krasniqi, nga fshati Kotë. Adoleshenti mësohet se kishte njohje me gruan të cilën do të grabiste dhe kishte informacion se ajo ishte e vetme në shtëpi, por nuk ka arritur të realizojë grabitjen e planifikuar, pasi gruaja nuk ka pranuar të dorëzojë paratë, madje ka tentuar të përleshet me 15-vjeçarin. Ekspertët e policisë konstatuan në vendngjarje se grabitësi kishte shkrehur armën, por pasi kishte hasur në rezistencën e zonjës së shtëpisë, ishte larguar. Ai është shpallur person në kërkim për grabitje të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›