E Shtunë, 31 Tetor 2026

Adoleshentja: I dashuri më detyroi të bëj seks me shokët e tij

Durrës, policia ka arrestuar 19-vjeçarin P.P pas denoncimit të vajzës

DURRËS- Një vajzë 16- vjeçare nga Durrësi është detyruar që të kryejë marrëdhënie seksuale në grup me të dashurin e saj dhe shokët e tij. Ka qenë pikërisht i dashuri 19- vjeçar ai që ka detyruar vajzën e mitur që të pranojë të bëjë seks me të gjithë shokët. Skena e turpshme ka ndodhur në një dhomë të veçantë të një lokali në qytetin e Laçit. Mëngjesin e djeshëm, policia e Durrësit ka arrestuar “të dashurin” 19- vjeç të vajzës së mitur, i cili më pas ka pranuar se gjithçka ka nisur si një lojë por në fund është mbyllur me kryerjen e marrëdhënieve seksuale në grup me 16-vjeçaren.

Ngjarja

Burimet zyrtare të policisë së Durrësit pohuan dje se kanë qenë prindërit e vajzës së mitur ata që kanë bërë fillimisht denoncimin për ngjarjen. Prindërit kanë parë se vajza e tyre e mitur kishte një sjellje të çuditshme në shtëpi. Për tre ditë me radhë ajo fliste shumë pak dhe rrinte mënjanë personave të tjerë të shtëpisë. Prindërit kanë nisur që ta pyesin vajzën se çfarë kishte por ajo nuk tregonte. Kjo situatë ka vazhduar deri sa prindërit kanë zbuluar disa shenja në trupin e vajzës dhe ajo ka treguar të gjithë ngjarjen. Me vajzën për dore, prindërit kanë rendur në polici dhe kanë bërë denoncimin përkatës. Sipas denoncimit të bërë në polici, vajza kishte një lidhje me një djalë 19-vjeçar me inicialet P.P. Ai kishte lindur në Mirditë por ishte banues në Derven të Fushë Krujës. Disa ditë më parë, ajo kishte takuar djalin në një lokal në periferi të qytetit të Laçit. Ata ishin ulur në tavolinë dhe disa minuta më pas aty kishin mbërritur disa shokë të tij, të gjithë nga 17 deri në 19-vjeç. Në këtë moment vajza është trembur dhe ka dashur që të ikë por ata nuk e kanë lënë. Vajza ka rrëfyer në polici se djemtë kanë mbyllur lokalin dhe kanë nisur që ta ngacmojnë. Ata e kanë detyruar që të kryejë veprime të turpshme në mjediset e lokalit. Pas kësaj, djemtë e kanë marrë me forcë 16-vjeçaren dhe e kanë futur në një ambient pas lokalit. Aty ajo është detyruar që të kryejë marrëdhënie seksuale me 19-vjeçarin me inicialet P.P dhe më pas me shokët e tij. Vajza është lënë e lirë sërish vetëm pasi 19- vjeçari i ka marrë edhe telefonin celular që kishte me vete. Kjo dëshmi e vajzës është shoqëruar edhe me shenjat që ndodheshin në trupin e saj.

Arrestimi

Me të marrë këtë informacion policia e Durrësit është vënë në kërkim të 19- vjeçarit me inicialet P. P. Në rrugë operative është mësuar se ai ndodhej në banesë në fshatin Derven të Fushë Krujës dhe një grup i gatshëm ka shkuar atje duke kryer arrestimin. Djali është dërguar me urgjencë në policinë e Durrësit ku hetuesit e kanë ballafaquar me deklarimet e vajzës që ka bërë denoncimin. Fillimisht 19- vjeçari me inicialet P. P ka pohuar se gjithçka ishte një lojë mes djemve. Por më pas ai ka pranuar se ishte e vërtetë që kishin kryer marrëdhënie seksuale me vajzën 16- vjeçare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›