Defekti në kabinë, digjet elektricisti 56-vjeçar
Shkëlqim Sahani po rregullonte defektin, por ka rënë në masë tensioni. Ndodhet në gjendje të rëndë
TIRANË- Tentativa për të ndrequr një defekt në kabinën elektrike, për pak sa nuk i ka kushtuar jetën një elektricisti. Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme, në rrugën “Gjergj Legisi” në Tiranë, kur punonjësi i KESH-it, Shkëlqim Sahani, 56-vjeç, është djegur brenda në kabinë. Efektivat e policisë mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes dhe bënë transportimin e 56-vjeçarit për në spitalin ushtarak nga ku mësohet se ai ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Burime zyrtare nga policia thanë se punonjësi i KESH-it, Shkëlqim Sahani kishte shkuar në kabinë për të ndrequr një defekt i cili kishte lënë pa energji elektrike lagjen që prej orës 3 të mëngjesit të djeshëm. Elektricisti ishte njoftuar nga banorët e lagjes dhe fill pas kësaj ai shkoi në kabinë, ku po tentonte të ndreqte defektin. Por sipas policisë një person ka ngritur levën elektrike duke sjellë pa njoftuar energji elektrike dhe kjo ka shkaktuar masë brenda në kabinën ku ndodhej elektricisti. Sahani nuk ka mundur të dalë menjëherë nga kabina për të evituar plagosjen. Ai ka pasuar djegie dhe ka humbur ndjenjat. Kalimtarë të rastit njoftuan policinë për ngjarjen, e cila mbërriti menjëherë në kabinën ku ndodhej 56-vjeçari.Elektricisti kishte ende shenja jete dhe u dërgua menjëherë në spitalin ushtarak ku iu nënshtrua ndërhyrjes mjekësore. Policia nisi menjëherë hetimet për të zbardhur me saktësi rrethanat e kësaj ngjarjeje. Burime nga policia thanë se ngjarja po hetohet në dy pista atë të plagosjes aksidentale nga ana e elektricistit si dhe pakujdesisë së ndonjë personi të dytë, i cili ka sjellë energjinë pa njoftuar 56-vjeçarin të dilte nga kabina.