Polici vret të dashurën për xhelozi e më pas veten
Hazir Sallahu, punonjës policie i Objekteve i kërkoi gruas me të cilën bashkëjetonte të kthehej tek ai. Refuzimit të saj iu përgjigj me plumba
TIRANË- Një punonjës policie vret gruan me të cilën bashkëjetonte dhe më pas veten. Krimi i rëndëndodhi rreth orës 15:55 të ditës së djeshme, në rrugën e “Porcelanit” në Tiranë, ku 45-vjeçari Hazir Sallahu, efektiv në Seksionin e Objekteve pranë komisariatit nr.2 të policisë ka qëlluar me armën e shërbimit 34-vjeçaren Anila Laze dhe më pas ka vrarë veten. Dëshmitarët lajmëruan menjëherë policinë, e cila mbërriti në vendin e ngjarjes për të zbardhur rrethanat e vrasjes së dyfishtë. Burime nga policia thanë se nga hetimet e para dyshohet se polici Hazir Sallahu dyshonte se gruaja me të cilën ai bashkëjetonte prej dy vjetësh e tradhtonte. Ata janë grindur në rrugë, ku pas fjalëve të ndërsjella 45-vjeçari ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar tri herë Lazen, duke e lënë të vdekur në vend. Më pas ka qëlluar edhe veten.
Ngjarja
Anila Laze sapo kishte mbaruar orarin e punës dhe po kthehej në shtëpinë e saj. Kur ndodhej ende në rrugë, në afërsi të zonës së “Porcelanit” është përballur me 45-vjeçarin Hazir Sallahu, me të cilin bashkëjetonte prej dy vjetësh. Mësohet se çifti kishte pasur mosmarrëveshje dhe Laze kishte tentuar të ndahej prej Sallahut. Ndërsa ky i fundit dyshonte se ajo e tradhtonte. 45-vjeçari i ka zënë pritë gruas që donte dhe i ka kërkuar të kthehej, por sipas dëshmitarëve ajo nuk ka pranuar. “Hajde me mua se ndryshe do të vras” -mësohet t’i ketë thënë me tone kërcënuese polici 34-vjeçares, pak sekonda para se të shkrehte tri herë pistoletën mbi trupin e saj. Pasi është përballur me rezistencën e gruas, Sallahu ka nxjerrë armën dhe e ka qëlluar duke e lënë të vdekur në vend. Pasi ka parë trupin e pa jetë të gruas së tij në trotuar, polici ka filluar të vijë rrotull saj me pistoletë në dorë. Pëshpëritjet e dëshmitarëve, të cilët po tentonin të lidheshin në telefon me policinë kanë alarmuar 45-vjeçarin, i cili është larguar vetëm pak metra larg trupit të gruas së tij dhe ka qëlluar veten, duke gjetur vdekjen e menjëhershme.
Policia
Në vendin e ngjarjes mbërritën oficerët e zyrës së vrasjeve si dhe zyrtarë të lartë të policisë së Tiranës. Hetuesit rrethuan vendin e ngjarjes për të bërë këqyrjen e provave, ndërsa më pas trupat e pajetë të dy personave u transportuan në morgun e spitalit për ekzaminime të mëtejshme. Grupi hetimor i i formuar për këtë ngjarje nisi hetimet për të zbardhur rrethanat e krimit brenda familjes. Policia mori në pyetje dëshmitarët e ngjarjes të cilët deklaruan se burri dhe gruaja po debatonin me zë të lartënë mes të rrugës. Kjo e fundit refuzonte kthimin te 45-vjeçari, gjë e cila ka detyruar atë ta kërcënojë për vdekje dhe brenda pak sekondash të realizojë vrasjen. “Hazir Sallahu mund të mos e ketë menduar vrasjen, por grindja e tyre ka çuar më pas policin të përdorë armën mbi gruan e tij dhe më pas mbi veten”- thanë për “Shekullin” burimet policore. Të njëjtat burime shtuan se po punohet për të zbardhur me saktësi shkakun e sherrit mes çiftit që përfundoi tragjikisht me vdekjen e dyfishtë.
SHERRI
Hazir Sallahu i ka dalë në rrugë gruas me të cilën bashkëjetonte prej dy vjetësh dhe i kërkonte asaj të kthehej në shtëpi. Sherri mes tyre është dëgjuar nga shumë kalimtarë të rastit në Porcelan
VRASJA
Rezistencës së Anila Lazes, polici i Objekteve i është përgjigjur me tre plumba. Pasi ka parë gruan të mos japë shenja jete, Sallahu ka qëlluar veten, për të mos rënë në duart e policisë
-Burri e kërcënonte me zë të lartë dhe më pas e qëlloi tre herë. Vrau veten kur u përmend policia
Dëshmitarja: Autori u vetëvra nga frika e policisë
Sapo pa gruan e tij të rrëzohej në trotuar, e gjakosur dhe pa shenja jete, 45-vjeçari Hazir Sallahu ka nisur të vijë rrotull, pa ditur se ku do të shkonte. Me pistoletë në dorë ai pëshpëriste me vete dhe lëvizte rreth trupit të pajetë të 34-vjeçares Anila Laze. “Gruaja sapo kishte mbaruar punën. Ishte rrobaqepëse dhe po kthehej në banesën e saj, kur përpara i ka dalë burri me të cilin bashkëjetonte. Ata kanë filluar të zihen. Ai burri bërtiste me zë të lartë duke i kërkuar të shkonte pas tij, por ajo nuk donte, megjithëse ai i thoshte se do ta vriste. Pasi e pa që ajo nuk bindej për të shkuar pas tij, ai nxori pistoletën dhe qëlloi tri herë mbi gruan e cila vdiq në vend” -tregoi për gazetën “Shekulli” një 15-vjeçare, e cila rastësisht u bë dëshmitare e kësaj vrasjeje. “Pasi vrau gruan ai vinte rrotull përsëri, por nuk largohej. Aty u mblodhën shumë njerëz dhe po flisnin me njëri- tjetrin për të lajmëruar policinë. Sapo dëgjoi personat se do të lajmëronin policinë, autori nuk u largua për t’i shpëtuar policisë, por i drejtoi pistoletën vetes dhe e shkrehu. Nuk munda të shoh kur shkrehu armën nga frika, por pas disa sekondash e pashë të shtrirë në trotuar” -shtoi më tej 15-vjeçarja. Sipas dëshmitarëve, polici nuk ka pranuar të bjerë i “gjallë” në duart e kolegëve të tij, duke vrarë edhe veten pasi qëlloi tri herë me pistoletë mbi gruan e tij. Dëshmitarët treguan se fillimisht autori dukej i qetë por grindja e tyre po dëgjohej nga kalimtarët dhe më pas disa kërcënimeve të 45-vjeçarit u dëgjuan të shtënat. Kështu policia dyshon paraprakisht se nuk ka të bëjë me një ngjarje të paramenduar, por vrasja ka ndodhur pas një zënke të çastit. Megjithatë, vdekja e dyfishtë, e ndodhur dje në lagjen periferike të Tiranës është ende nën hetim.