Përgjon çiftin në Bregun e Lumit, merret peng
TIRANË- Thyen xhamin e automjetit, ku një çift po kryente marrëdhënie seksuale, merret peng 14-vjeçari. Ngjarja e rrallëndodhi ditën e djeshme, në afërsi të “Bregut të Lumit” në Tiranë, ku një i mitur, i shtyrë nga kurioziteti ka përgjuar një çift teksa kryenin marrëdhënie seksuale në makinë. Ai nuk ka ngurruar t’i afrohet automjetit dhe të shohë nga afër skenat erotike, madje ka lajmëruar edhe kushërinjtë e tij moshatarë për të parë. “Spektatorët” e vegjël kanë irrituar burrin, i cili ka dalë nga automjeti duke lëshuar një mori fjalësh fyese mbi 14-vjeçarin. I fyer nga fjalët e personit, i mituri ka marrë një gur dhe ka goditur xhamin e dritares së mjetit. Pas kësaj, pronari i makinës e ka ndjekur nga pas 14-vjeçarin dhe e ka kapur duke e futur me forcë në automjet. Megjithëse personi po i tregonte të miturit se donte të sqarohej ndaj e futi në automjet, ky i fundit po udhëtonte drejt qendrës së Tiranës. I frikësuar nga hakmarrja, 14-vjeçari ka gjetur një mënyrë për t’u larguar. Ai ka shfrytëzuar ndalesën e makinës gjatë respektimit të semaforit për të hapur derën e makinës dhe për t’u larguar me shpejtësi. Menjëherë pas kësaj, djali ka mbërritur në drejtorinë e policisë ku dhe ka denoncuar pengmarrjen. Burime nga policia thanë se menjëherë pas denoncimit nisën hetimet për të zbardhur ngjarjes. Nga hetimet e para rezulton se nuk ka qenë një pengmarrje e pastër, por një sqarim nga ana e autorit. Ky i fundit është identifikuar, por policia ende nuk e ka kapur. Burimet policore thanë se nuk është bërë i mundur gjetja e një adresë të saktë ku banon i kërkuari, pasi 14-vjeçari nuk e njihte.