I burgosuri në Patra, urdhra për trafikun e 24 kg heroinë
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda i dorëzoi gjykatës 15 të pandehurit që nën “urdhrat” e një shqiptari që ndodhej në burgun e Patrës së Greqisë, tentuan të trafikonin 24 kg heroinë, 117 kg përzierës, 56 kg hashash dhe 600 gram kokainë. Burimet zyrtare pranë organit të akuzës pohuan dje për “Shekullin” se prokurorit të çështjes, Edvin Kondili iu desh gati një vit hetim intensiv për të faktuar akuzat për të pandehurit, të cilët kanë kryer veprat penale të “trafikimit të lëndëve narkotike të mbetur në tentativë”; “mbajtjes, prodhimit dhe transportimit të lëndëve kimike” dhe “moskallëzim të krimit”, të gjitha në bashkëpunim . Sipas kërkesës për gjykim, të pandehurit fillimisht janë hetuar dhe arrestuar së bashku në një procedim të vetëm penal, por gjatë hetimeve ka rezultuar se disa prej të pandehurve nuk njiheshin mes njëri-tjetrit dhe procedimi penal është ndarë në dy dosje.
“Nga hetimet disa mujore ka rezultuar se organizatori i këtij trafiku nga Shqipëria në Greqi është një shqiptar i njohur me pseudonimin Geni dhe që ndodhet në burgun e Patrës në Greqi, ku po vuan dënimin për trafik droge. Të gjitha organizimet i kryente me telefon celular që mbante fshehur ne qeli, por edhe nëpërmjet telefonatave nga kabina e burgut”-thuhet në kërkesën për gjykim. Sipas këtyre burimeve mësohet se për përgatitjen dhe nisjen e drogës në katër rrugë janë përdorur 46 numra telefoni celular të kompanive shqiptare, 6 numra celularë të kompanive greke dhe kabina telefonike e burgut të Patrës. Hetimet për identifikimin e plotë të shqiptarit të njohur me pseudonimin Geni po vazhdojnë dhe dosja hetimore ndaj tij është veçuar për hetimin e mëtejshëm dhe identifikimin e plotë të tij. Ndërkaq, pikat e kontaktit dhe siguruesit e mallit në Shqipëri për të dënuarin Geni janë të pandehurit Gjergji alias Arben Çollaku dhe Bledar Lushnjaku, që të dy nga Korça.
Sipas kërkesës për gjykim, të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe në role të ndryshme, kanë tentuar katër herë të dërgojnë në Greqi 24 kg heroinë, 117 kg përzierës të drogës, 56 kg hashash dhe 600 gram kokainë. Mësohet se me kërkesë të Genit, i pandehuri Arben Çollaku duke shfrytëzuar lidhjet që kishte me linja të ndryshme të trafikut të drogës, i siguroi atij rreth 14 kg heroinë dhe 600 gram kokainë. I pandehuri Altin Sotomeni, kundrejt 14 mijë eurove kishte pranuar të transportonte për në Greqi drogën. Nga përgjimet telefonike, regjistrimet audio dhe video të prokurorisë u bë arrestimi i tij në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës duke ia sekuestruar drogën më 29 gusht të vitit 2007. Por, i dënuari i njohur si Geni, nga burgu i Patrës këmbëngulte që me çdo kusht droga t’i shkonte në Greqi dhe për këtë kontakton me të pandehurin Bledar Lushnjaku, ku ky i fundit i siguron rreth 10 kg heroinë, të cilën e nis me “korrierin” Sentiljan Rungo për në Greqi. Pas fshehjes së drogës në makinën e Rungos, shoferi niset për në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës për të kaluar në Greqi, por falë përgjimeve dhe vëzhgimeve, policia e arreston atë dhe i sekuestron drogën e fshehur në sediljet e pasme të makinës me datën 13 gusht 2007. Pas bllokimit të “mallit” në dy rrugë, të pandehurit nën urdhrat e Genit fillojnë përgatitjen e një tjetër ngarkese, por tashmë duhej përzierësi i drogës, për të cilin kontaktojnë me të pandehurin Rexhep Abdillarin me banim në Tiranë. Ky i fundit, me ndihmën e shokëve të tij siguroi substancën kimike që përdorej për përzierje droge, por më datë 15 shtator 2007 i sekuestrohet rrugës për në Korçë. Tentativa e fundit, që solli arrestimin e grupit prej 15 vetash është ai i dërgimit në Greqi të 56 kg hashash të blerë në Vlorë. Sekuestrimi i kësaj sasie u krye pasditen e datës 20 tetor 2007 ku përveç sekuestrimit të drogës operacioni u zgjerua për arrestimin e të pandehurve të tjerë.
DOSJA I
Gjergji alias Arben Çollaku, “trafik narkotikesh të mbetur në tentativë, më shumë se njëherë”
Roni Dhimitri, “trafik narkotikesh të mbetur në tentativë” dhe “mbajtje, prodhim dhe transportim të substancave kimike” në bashkëpunim
Juxhin Kulla, “trafik narkotikesh të mbetur në tentativë” në bashkëpunim
Aleko Jorgaqi, “trafik narkotikesh të mbetur në tentativë” në bashkëpunim
Altin Sotomeni, “trafik narkotikesh të mbetur në tentativë” në bashkëpunim
Artur Feçanji, “trafik narkotikesh të mbetur në tentativë” në bashkëpunim
Ernest Nane, “mbajtje, prodhim dhe transportim të substancave kimike” në bashkëpunim
Rexhep Abdillari, “mbajtje , prodhim dhe transportim të substancave kimike” në bashkëpunim
Dritan Muça, “mbajtje, prodhim dhe transportim të substancave kimike” në bashkëpunim
DOSJA II
Bledar Lushanjaku, “trafik narkotikesh të mbetur në tentativë” në bashkëpunim
Sentilian Rungo, “trafik narkotikesh të mbetur në tentativë” në bashkëpunim
Ajet Agolli, “trafik narkotikesh të mbetur në tentativë” në bashkëpunim
Kristo Nasta, “trafik narkotikesh të mbetur në tentativë” në bashkëpunim
Leonidha Shkodrani, “trafik narkotikesh të mbetur në tentativë” në bashkëpunim
Altin Janko, “moskallëzim krimit”