E Diel, 1 Nëntor 2026

AMC-ja ofron pajisje të reja për Pediatrinë e spitalit “Nënë Tereza”



Në kuadër të nismës “Mesazhe shprese”, AMC-ja ka mbështetur Shërbimin e Onkohematologjisë Pediatrike në spitalin “Nënë Tereza”, duke i ofruar pajisje të reja. Një pjesë e të ardhurave nga mesazhet e dërguara gjatë natës së ndërrimit të viteve janë përdorur për t’i dhuruar këtij pavijoni pajisjet më të fundit mjekësore, ku do të kurohen fëmijët me sëmundje të rënda të gjakut dhe tumoret pediatrike. AMC-ja ka sponsorizuar blerjen e tre paneleve të fluksit të oksigjenit që përdoren për lehtësimin e frymëmarrjes së fëmijëve të sëmurë rëndë, pesë shiringa elektrike, pesë pompa infuzore për llogaritjen sa më të saktë të kemiopreparateve (ilaçe citostatike kundër kancerit) si dhe për dhënien e tyre në kohë të përcaktuar me saktësi, për të ulur toksicitetin e lartë të këtyre preparateve. AMC-ja gjithashtu dhuroi një kape inhalatore me fluks laminar që përdoret për deintoksikimin e avujve toksike që çlirohen nga shkrirja dhe tretja e këtyre preparateve si dhe mbrojtja nga kontaminim i këtyre medikamenteve gjatë procesit të manipulacionit. Shërbimi i Onkohematologjise Pediatrisë përfshin shërbimin spitalor e atë ditor të ndjekjes dhe trajtimit të neoplazive si dhe qendrën e ndjekjes dhe trajtimit të hemoglobinopative. Në këtë shërbim trajtohen patologjitë malinje (leukozat ) dhe jo malinje të gjakut (anemitë e ndryshme, çrregullimet e koagulimit si kryesisht hemofilite, trombocitopenite etj.), tumoret solide (lymphomat, neuroblastoma, nefroblastoma, sarkomat etj.), si dhe hemoglobinopatite e lindura. Ky është shërbim i vetëm i këtij lloji në vend dhe jo vetëm. Prej gati 10 vjetësh, në këtë shërbim ndiqen e trajtohen edhe një numër i madh rastesh nga vendet fqinje.

13 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›