Vendimet, qeveria hap disa degë të reja studimi për vitin e ri akademik
Jonida Tashi
Qeveria ka miratuar dje hapjen e disa programeve të reja studimi, për vitin e ri akademik 2010-2011, në universitetet publike të vendit. Dje, në mbledhjen e radhës të Këshillit të Ministrave, kreu i qeverisë, Sali Berisha, ka miratuar shtatë vendime të veçanta, për hapjen e degëve të reja të studimit, ku ndër më të rëndësishmit janë ai për hapjen e degës “Inxhinieri ekonomike” në Universitetin Politeknik, si dhe vendimi për miratimin e Masterit të Nivelit të Parë në “Teknik imazheri” për Fakultetin e Infermierisë të Universitetit të Tiranës.
Inxhinieria ekonomike
Për herë të parë, Universiteti Politeknik i Tiranës do të ofrojë gjatë vitit të ardhshëm akademik, një degë shumë të kërkuar nga tregu i punës, që është ajo e Inxhinierisë Ekonomike. Qeveria ka vendosur dje hapjen në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, të Universitetit Politeknik të Tiranës, të programit të studimeve, të ciklit të parë, “Inxhinieri ekonomike”. Në përfundim të këtij programi studimi do të lëshohet Diplomë e Nivelit të Parë, (DNP), në Inxhinieri ekonomike. Programi i studimeve të ciklit të parë realizohet me 180 kredite, (ECTS), dhe kohëzgjatja normale e tij është tre vite akademike. Ky program studimi do ta fillojë veprimtarinë e vet në vitin akademik 2010–2011. Brenda të njëjtës fushë studimi, qeveria ka miratuar hapjen e programeve të studimit të ciklit të parë Juridik, Shkenca kompjuterike, Sistemet e informacionit dhe Teknologji informacioni, në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës. Edhe këto programe studimi, që realizohen me 180 kredite, me kohëzgjatje normale tre vite akademike, do ta fillojnë veprimtarinë në vitin akademik 2010–2011.
Infermieria
Një vendim tjetër i rëndësishëm për arsimin e lartë dhe studentët që duan të specializohen më tej pas përfundimit të ciklit të parë të studimeve, është edhe ai për hapjen e programit të studimeve, Master i Nivelit të Parë, në “Teknik imazheri”, në Fakultetin e Infermierisë, të Universitetit të Tiranës. Për këtë program studimi qeveria ka miratuar kuotën e pranimit dhe tarifën e shkollimit. Sipas vendimit të qeverisë, kuota e pranimit në këtë program studimi, për vitin akademik 2010-2011, është 60. Nga kuota e përcaktuar më sipër, 10% do të caktohet për studentët nga trojet shqiptare, jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë dhe do të administrohen nga Ministria e Arsimit, sipas kërkesave të institucioneve zyrtare të këtyre trojeve. Më tej, kuotat e paplotësuara rishpërndahen nga Ministria e Arsimit. Tarifa e shkollimit, për këtë program studimesh, të ciklit të dytë, është 60 mijë lekë. Studenti i nënshtrohet vetëm një tarife vjetore shkollimi. Ky program studimi do ta fillojë veprimtarinë mësimore në vitin akademik 2010–2011. Programi i studimit Master i Nivelit të Parë realizohet me 60 kredite dhe kohëzgjatja normale e tij është 1 vit akademik.
13 Maj 2010