Merren 250 mijë lekë, grabitje me armë dhe maska, plaçkitet pika e karburantit
TIRANË - Grabitet me armë një pikë karburanti ku është marrë një shumë parash. Burime policore kanë bërë të ditur se, goditja ka ndodhur dy net më parë në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur në Sauk, rreth mesnatës, kur në pikën e karburantit ndodhej vetëm një punonjës dhe roja, i cili nuk ka mundur të reagojë, pasi grabitësit kanë qëlluar me armë në ajër. Burimet policore bënë të ditur se për këtë ngjarje janë njoftuar nga vetë roja i dëmtuar, i cili ka telefonuar në sallën operative sapo janë larguar grabitësit. Sipas policisë, ai është shprehur se grabitja kishte ndodhur tek karburant “Taçi Oil”, në Sauk. Me t’u njoftuar, në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e komisariatit nr. 1 në Tiranë, që ka nën juridiksion atë zonë, ndërkohë që më vonë kanë mbërritur edhe specialistët e vjedhjeve me dhunë dhe armë. Nga dëshmitë e mbledhura ka rezultuar se tre persona kanë shkuar në pikën e karburantit dhe kanë nxjerrë pistoletë dhe automatik. Në ato momente, kanë kërcënuar punonjësin e karburantit dhe i kanë kërkuar t’u japë paratë e mbledhura. Fillimisht, ai ka kundërshtuar, ndërkohë që roja ka tentuar të reagojë. Por, një prej grabitësve, të cilët ishin të pamaskuar, ka qëlluar me armë në ajër. Aty janë shtangur të dy punonjësit, që u kanë dhënë paratë autorëve. Më pas, ata janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, ku mendohet se i priste një makinë. Gjatë verifikimeve ka rezultuar se grabitësit kanë mundur të vjedhin rreth 300 mijë lekë të reja. Burimet policore shpjeguan se pas marrjes së informacionit janë rrethuar gjithë rrugët dhe kanë nisur kërkimet për të dyshuarit, por nuk kanë mundur të arrestojnë ndonjë. Më pas, policia tha se ka shoqëruar punonjësin e karburantit që ka bërë përshkrimin e personave që kishin kryer grabitjen dhe e kanë marrë për njohje mbi disa persona të shoqëruar, por ka rezultuar se asnjë prej tyre nuk ishte autori. Burimet policore shpjeguan se hetimet vazhdojnë dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve. Tre net më parë, një tjetër grabitje me armë ndodhi në hyrje të rrugës “Ali Demi”, ku u vodh një market ushqimor.
13 Maj 2010