E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherri për një copë tokë, breshëri mbi vëlla dhe motër



Artan CENA
FUSHË KRUJË - Motër e vëlla janë vrarë për një copë tokë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mesditën e djeshme në Fushë-Thumanë të Fushë Krujës. Viktimat janë Xhevrie Stafa, 50 vjeçe dhe vëllai i saj, Qemal Çepani 40 vjeç. Ata janë qëlluar me armë zjarri nga Gëzim Zeneli, rreth 30 vjeç. Ata fillimisht janë plagosur rëndë dhe janë sjellë me urgjencë në Spitalin Ushtarak. Por me gjithë ndërhyrjen e mjekëve nuk kanë mbijetuar dot. Plagët që kishin marrë kanë qenë të rënda dhe sapo mbërritën në spital kanë ndërruar jetë. Në drejtim të vendit të ngjarjes kanë shkuar forca të shumta policie, që brenda pak minutash kanë mundur që të identifikojnë autorin e dyshuar të vrasjes së dyfishtë. Menjëherë janë vënë në kërkim të tij, por deri mbrëmjen e djeshme nuk është bërë i mundur arrestimi i të dyshuarit. Për të ndihmuar në kapjen e Zenelit, policia ka vënë dhe një “çmim” për kokën e tij. Burime zyrtare nga Policia e Durrësit, kanë bërë të ditur se ofrojnë 10 mijë euro, kush jep informacion e saktë të vendndodhjes së të kërkuarit.
Ngjarja
Sherri mes autorit dhe dy viktimave kishte kohë që kishte nisur për një pronë. Bëhej fjalë për një copë tokë, që ishte në krah të banesës së tyre. Nga burime policore është bërë e ditur se dhe herë të tjera ka pasur zënka mes dy familjeve, por ata ishin mbyllur pa probleme të rënda. Por dita e djeshme ka qenë fatale. Pasi janë zënë në orët e para të mëngjesit, dukej sikur se sherri ishte shuar. Por jo. Gëzim Zeneli është rikthyer me një armë në dorë dhe ka qëlluar drejt dy viktimave të tij. Ata fillimisht kanë marrë plagë të rënda dhe menjëherë janë nisur në drejtim të Spitalit Ushtarak, Tiranë. Nga ana tjetër me telefon është njoftuar dhe policia, që ka mbërritur në vendin e ngjarjes. Dy të plagosurit nuk kanë mundur të mbijetojnë. Burime spitalore thanë se, plagët e marra nga Stafa dhe Çepani kanë qenë të rënda dhe ata nuk kanë mundur që të mbijetojnë. Burimet zyrtare nuk kanë bërë të ditur nëse ka pasur denoncime nga palët në lidhje me zënkat dhe kërcënimet mes dy familjeve.
Shpërblimi
“Drejtoria e Përgjithshme e Policisë Shtetit dhe Drejtoria e Policisë Qarkut Durrës, kanë vënë në dispozicion 10 mijë euro për personat, të cilët japin informacion të saktë mbi vendndodhjen e autorit të dyshuar për ngjarjen e ndodhur gjatë paradites së djeshme në fshatin Fushë Thumanë, Krujë, Gëzim Zeneli. Në këtë ngjarje mbetën të vrarë me armë zjarri dy shtetas (motër e vëlla)”, bënë të ditur dje burimet zyrtare. Këta të fundit thanë se, i dyshuari për krimin në fjalë mban gjeneralitetet e mëposhtme: Gëzim Ismail Zeneli, rreth 30 vjeç, banues në fshatin Vinjoll, Laç. Për ata që duan të japin informacion dhe që kanë dijeni mbi vendndodhjen e tij dhe janë të gatshëm të bashkëpunojnë me Policinë për kapjen e 30-vjeçarit, autor i ngjarjes së rëndë, janë vënë në dispozicion gjatë 24 orëve numrat telefonikë: 0694102733; 052 2 222 266; 129 dhe 126. Policia tha se është dukë bërë kërkime intensive dhe se janë ngritur postblloqe të shumta për të bërë të mundur arrestimin e të dyshuarit.

Përcillet për në banesën e fundit gjimnazistja Bahja
ELBASAN - Është përcjellë për në banesën e fundit gjimnazistja Gerta Bahja, e cila u ekzekutua dy ditë më parë në klasën e saj në shkollën e mesme të përgjithshme "Mahir Domi". Familjarë, të afërm, mësues, shokë dhe shoqe të së ndjerës shoqëruan kortezhin mortor deri në varrezat e qytetit ku u krye riti i fundit për maturanten. Në ceremoni kanë marrë pjesë, deputeti i qarkut të Elbasanit dhe ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, i shoqëruar nga deputeti Luçiano Boçi, zv/ ministri i Arsimit dhe Shkencës, Halit Shamata, Prefekti Shefqet Deliallisi dhe kryetari i Bashkisë, Qazim Sejdini. Ngjarja e rëndë ndodhi të martën në mëngjes, kur 19-vjeçari Endri Llambajt hyri i armatosur në shkollë në 5 minutëshin e pushimit ndërmjet orëve të mësimit, dhe ishte drejtuar në klasën ku mësonte Gerta. Pasi i ishte afruar bankës së saj e kishte qëlluar me tre plumba dhe më pas ishte larguar. 2 kilometra larg shkollës kur kishte parë veten të rrethuar nga policia, adoleshenti nuk e ka kursyer plumbin as ndaj vetes. Policia po heton zbardhjen e plotë të shkaqeve që çuan në vrasjen e dyfishtë si dhe lidhjet që mund të kenë ekzistuar mes Endri Llambajt, djaloshit vlonjat dhe Gertës. Dyshohet se vrasja mund të ketë ndodhur për motive xhelozie.

13 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›