E Shtunë, 31 Tetor 2026

Adoleshentja vetëhelmohet, pasi denoncoi të dashurin për përdhunim

Një histori e dështuar dashurie e ka shtyrë drejt fundit të jetës. Adoleshentja Klodiana B. nga një fshat i Durrësit ka tentuar t‘i japë fund jetës duke konsumuar një sasi lënde helmuese pas braktisjes nga i dashuri dhe turpit nga situata e krijuar në familje. Një denoncim policor ditë më parë ndaj të dashurit kishte dështuar, ashtu si edhe lidhja e tyre intime. Zhvillimet e fundit në historinë e saj të dashurisë me një djalë i kanë shkaktuar një gjendje tejet të rënduar psikologjike, veçanërisht mentaliteti patriarkal dhe përballja me familjarët, duke e çuar drejt vendimit fatal, ndërsa lufton mes jetës dhe vdekjes në repartin e toksikologjisë në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Vajza me origjinë nga rrethi i Matit dhe me banim në fshatin Rrushkull të Sukthit, është dërguar në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak, rreth orës 17.00 të së martës. Ditë më parë, ajo dhe familjarët e saj patën bërë një denoncim në Policinë e Durrësit për të dashurin e vajzës, i cili ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë. Autoritetet policore patën kërkuar urdhër ndalimi për të riun, por prokuroria nuk e pati çmuar të nevojshme këtë masë, pasi nga ekspertiza pati rezultuar se te vajza nuk kishte shenja të kryerjes së aktit me dhunë. Vajza, që në tetor të këtij viti do të mbushë 17 vjeçe, një ditë më parë ka shkuar drejt thesit të fasuleve ku e ëma mbante helmin vdekjeprurës dhe ka konsumuar një sasi prej tij. Familjarët e kanë gjetur në gjendje të rëndë dhe e kanë nisur menjëherë për në spital, ku vazhdon të jetë në gjendje kritike. Në njoftimin zyrtar të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës thuhet se nga veprimet e para hetimore, deklarimet e marra nga mjekët e spitalit dhe babai i adoleshentes, rezulton se Klodiana B. në gjendje të rënduar psikologjike ka konsumuar medikamentin vdekjeprurës fostoksinë. Ndërkaq, për herë të dytë çështja ka mbërritur në Prokurorinë e Durrësit dhe këtë herë kanë nisur hetimet për veprën penale të shkaktimit të vetëvrasjes, vepër e parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal. Ndërkaq, burime të gazetës bënë të ditur se paraqitja në polici e disa ditëve më parë të së vetëhelmuarës dhe familjarëve të saj i ka fokusuar hetimet në gjendjen e krijuar tek ajo dhe familja pas braktisjes nga i dashuri. Po hetohet nëse denoncimi i bërë për kryerje të marrëdhënieve seksuale me dhunë nga i dashuri është real, ose më saktë nëse është bërë pa dëshirën e vajzës, apo ka qenë thjesht në shenjë hakmarrjeje për braktisjen e tij. Një tjetër mundësi është dhe ajo e detyrimit të së resë nga familjarët për të bërë këtë denoncim në kushtet e një historie tashmë të marrë fund dhe të mësuar prej tyre, ndërkohë që mentaliteti patriarkal nuk e pranon lidhjen intime dhe turpërimin e vajzës. Historia është një nga ato që ndodhin shpesh në vendin tonë, veçanërisht në zonat rurale, po që rrallëherë deklarohen dhe bëhen publike duke mos denoncuar mentalitetin që vazhdon të ekzistojë dhe merr jetë njerëzish, që sapo kanë nisur të jetohen. Një histori e dështuar është thjesht një histori. Jeta vazhdon me të tjerë emra, të tjera histori dhe dëshirë për të jetuar. Klodiana është në spital duke luftuar mes jetës dhe vdekjes, ndërsa familjarët e saj përballen me humbjen e mundshme të vajzës dhe pengun për gjendjen e rënduar psikologjike të saj, për të cilën dyshohet se kanë kontribuar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›